Raka u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen
Mikrobiologu Lul Raka u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin vaksinën antiCovid-19.
Përmes një postimi në Facebook, Raka tha se “Efikasiteti i vaksinës kundër hospitalizimit të personave të sëmurë me variantin Delta është 75% pas dozës së parë dhe rritet në 94% pas dozës së dytë”.
Ai theksoi se vaksinat që janë duke u dhënë në Kosovë janë të sigurta, ndërkaq bëri thirrje të mos dëgjohen teoritë konspirative për vaksinat dhe afatin e skadimit.
“I vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneka dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan. Mos rrezikoni jetën Tuaj dhe të afërmve me teori konspirative e dezinformata për vaksinat dhe afatin e skadimit nga askush”, shkroi ndër të tjera Raka.
Ministrisë e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë dhënë 5.251 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 236.035 doza të vaksinës.
Deri më sot 57.994 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./21Media