Rakiq shprehet i bindur se do të lejohet votimi më 3 prill, paralajmëron reciprocitet

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar reciprocitet pas vendimit që të mos lejohet mbajtja në Kosovë e referendumit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Në tubimet dhe prostestat që realizuan qytetarët sot, i pranishëm ka qenë edhe Rakiq.
Ai iu adresua mediave pas këtij manifestimi, që ka përfunduar pa ndonjë incident.
”Ne paralajmërojmë Prishtinën dhe komunitetin ndërkombëtar se vendimi për ndalimin e referendumit do të ketë pasoja të paparashikueshme që do të çojnë në vendosjen e reciprocitetit ndaj Prishtinës veri të Kosovës e M., në të gjitha fushat që Prishtina ua mohon serbëve”, ka thënë Rakiq, që është ministër i Komuniteteve dhe Kthimit në Qeverinë e Kosovës, raporton ”Kossev”.
Rakiq shtoi se është i bindur se do të lejohet votimi në Kosovë në zonat e banuara me shumicë serbe për zgjedhjet presidenciale në Serbi më 3 prill.
”Ne do t’i prezantojmë të gjitha vendimet që Prishtina merr në dëm të popullit serb, të cilat i quan reciprocitet dhe nëse nuk e lejon më 3 prill, do të shohë e dëgjojë se çfarë do të thotë reciprocitet. Ne presim dhe besojmë dhe jemi të sigurt që do të mbahen më 3 prill”.
Ndërkaq, dje në Kosovë u mbajt seancë e jashtëzakonshme në lidhje me këtë referendum, seancë kjo e cila përfundoi me miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë.
76 deputetë votuan pro kësaj rezolute, asnjë nuk ishte kundër dhe një abstenoi.
Draft-rezoluta u propozua nga shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila derisa e njëjta më pas u harmonizua edhe me grupet parlamentare të LDK-së, AAK-së dhe Grupit Multietnik./21Media

Back to top button