Rama akuzon opozitën se po e përdor këtë tragjedinë në Himarë për luftë politike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish për ngjarjen që ndodhi ditën e djeshme ku një mjet lundrues me drejtues një punonjës policie, goditi për vdekje një të mitur 7-vjeç.
Rama e ka nisur reagimin e tij me urimin për ndëshkimin ekstrem të autorit ndërsa ka akuzuar opozitën se po e përdor këtë tragjedi për luftë politike.
Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër, ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!
Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar! Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!
Kryeministri ka shkruar se policia e shtetit po merr të gjitha masat për të për të reaguar shumë fortë e për të garantuar rendin ligjor në qarkullimin rrugor e ujor.
“Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor. Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s’ekzistonin! Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor, janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë, në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!”, thuhet në reagimin e Ramës.
Duke uruar që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit Rama pati edhe një porosi për kundërshtarët.
“ Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre!”, thuhet në reagim./21Media

Back to top button