Rama: E kundërligjshme kërkesa e qeverisë për t’i nxjerrë mësimdhënësit grevistë nga lista e pagave
I pari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar Drejtorive Komunale të Arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme.
Rama ka thënë se është e drejtë e institucioneve arsimore të vihen në grevë
“Është e drejtë e institucioneve arsimore dhe të administratës që të vihen në grevë. Pandemia dhe, pas saj, lufta në Ukrainë, bënë që të rriten të gjitha çmimet. Vetëm pagat mbetën të njëjtat. Kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar Drejtorive Komunale të Arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme. Por është e drejtë legjitime e Qeverisë që të kërkojë që mësimdhënësit t’i nënshtrohen testit të rivlerësimit, proces ky që duhet të ishte ndërmarrë që moti”, shkroi Rama në Facebook.
Rama ka thënë se Qeveria e Sindikata nuk duhet asesi ta ndërpresin dialogun.
“Ndërkohë, shtatori veçse erdhi, e nxënësit duhet patjetër t’u kthehen bankave shkollore, kurse punonjësit administratës. Është prandaj imperative që bashkimi i sindikatave dhe Qeveria të mos e ndërpresin dialogun dhe të gjejnë një kompromis sa më parë”, përfundon shkrimi i Ramës./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?