Rama i gatshëm për një tryezë me opozitën

Rama: Komisione zgjedhore jo politike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mendon se nuk ka kriza politike, për aq kohë sa vendi nuk ka vakum. Sipas tij, Kuvendi funksionon dhe reformat po ecin përpara.

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, Rama tha se është i gatshëm për një tryezë me opozitën, por theksoi se nuk mund ta presë derisa të zgjohet nga gjumi.

Do ishte mirë që PD të ishte në Parlament, ka marrë vendimin të iki, ky është një vendim që tregon se ka dëmtuar rëndë vetë PD. Nuk e ka bërë më të mirë jetën politikë të vendit, por as nuk e ka cenuar. Ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, të diskutojmë, të dëgjojmë, të mbajmë shënim, të reflektojmë kur ka sugjerime pozitive, por ne jemi të dënuar të udhëheqim. Nuk jemi këtu për të ndjekur të tjerët dhe as për të pritur që dikush të zgjohet nga gjumi”, tha kryeministri.

Sa i takon propozimit të opozitës jashtë parlamentit për reformën zgjedhore Rama tha se të gjitha idetë janë legjitime, por ajo që është detyrim dhe që nuk është çështje dëshirash apo idesh është implementimi i rekomandimeve të OSBE ODIHR.

Këtu ne nuk kemi çfarë të diskutojmë dhe çfarë gjejmë për tu ndarë, këtu thjesht duhet të bëjmë implementimin e rekomandimeve. Kemi qenë të hapur që të dëgjojmë versionet e çdo palë për mënyrën si e lexojnë, por pa diskutim që në zgjedhjet e ardhme do të kemi komisione zgjedhore të depolitizuar. Partitë nuk do e të kenë asgjë në dorë dhe pastaj të tjerat janë gjëra që kanë rëndësinë e tyre, por kjo është kryesore”, përfundoi Rama./21Media

Back to top button