Rama i thotë Zelenskyt: Nuk e keni njohur ende Kosovën, ajo e mbështetë Ukrainën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në Kiev i shoqëruar nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Të dy patën takim me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Në një konferencë të përbashkët për media, Rama përmendi edhe Kosovën.
Siç tha ai përveç 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë rreshtuar krah Ukrainës, është edhe një vend, Kosova të cilën nuk e ka njohur Ukraina.
Kryeministri shqiptar tha se Kosova po bën të njëjtën gjë që kanë bërë shtete tjera me sanksione kundër Rusisë, anipse Ukraina nuk e ka njohur.
“Ka edhe një gjë që ende nuk munda ta flas me presidentin, por dua t’ja them më vonë. Ballkani Perdimor ka 5 vende në Kombet e Bashkuara, të gjitha ato janë rreshtuar krah Ukrainës, pavarësisht historisë së ndryshme, pavarësisht konteksteve të ndryshme, pavarësisht marrëdhënieve me Rusinë. Por, ka edhe një vend të 6 që Ukraina ende nuk e ka njohur, Kosova e cila pavarësisht kësaj, po bën saktësisht të njëjtën gjë që po bëjnë të gjithë me sanksione dhe me mbështetjen e plotë. Kjo do të thotë se jemi në një linj të mirëpërkufizuar, të asaj çfarë jemi dhe çfarë përfaqësojmë, besoj fortë që është gjëja e duhur për t’u bërë”, tha Rama./21Media