Rama: Keqardhje që Kosova humbi kohë me minishengenin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përshëndetur marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Badhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
E ndërsa është vënë vazhdimisht nën akuzë se ka qenë pjesë e negociatave për shkëmbim territoresh mes dy shteteve, Rama nuk kursen ironinë që në krye të reagimit. “Asnjë tradhëti burra!”
Më tej ai shkruan: “Urime Kryeministrit Hoti për marrëveshjen e arritur me Serbinë, e cila s’është fundi po vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare: Dialog për gjithçka, Bashkëpunim për çka mundet sot, Këmbëngulje për çka duhet nesër!”
Rama shpreh keqardhjen që u humb kaq kohë nga Kosova për t’u dakordësuar me Shengenin Rajonal,si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin europian të shteteve tona.
E megjithatë, thotë më mirë vonë se kurrë, edhe falë Amerikës mike.
Ndërkohë njohjen e Kosovës nga Izraeli e ka cilësuar frutin fantastik të kësaj marrëveshjeje me potencial të madh zhvillimor, po edhe shembull për të gjithë që lufta për paqen përfundimtare me Serbinë nuk bëhet as me shpata virtuale kundër Beogradit, as me damkosje digjitale tradhëtarësh imagjinarë!
Marrëveshja është përshëndetur edhe nga Kreu i Shtetit, Ilir Meta.
“E përshëndes nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, të negociuar nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Trump!Një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes të dy vendeve, në funksion të paqes e stabilitetit në rajonin tonë!”
Ndërkohë kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka faledneruar Presidentin Trump dhe SHBA, për vëmendjen dhe përkushtimin ndaj Kosovës dhe Ballkanit.
“Personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike përshëndes marrëveshjen e arritur mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Një falenderim të veçantë për Presidentin Trump dhe SHBA, për vëmendjen dhe përkushtimin ndaj Kosovës dhe Ballkanit”.
Edhe për ish-kryeministrin Berisha kjo e enjte është një dite historike per Kosoven dhe kombin shqiptar.
“Miq, sot pasdite u firmos ne Washington ne Shtepine e Bardhe nga Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Kryeministri i Kosoves, Avdullah Hoti marreveshja per normalizimin e marredhenieve ekonomike te Kosoves me Serbine. Kjo marreveshje eshte nje arritje historike per Kosoven dhe kombin shqiptar dhe nje sukses i padiskutueshem i diplomacise se SHBA dhe personalisht e presidentit Donald Trump dhe perfaqesuesve te tij. Marreveshja do shenoje nje kthese te madhe ne marredheniet dhe bashkepunimin ekonomik midis Kosoves dhe Serbise por edhe ne bashkepunimin dhe stabilitetin rajonal.Me kete rast le te urojme ne perzemersisht qeverine dhe popullin e Kosoves dhe te shprehim mirenjohjen tone me te thelle SHBA dhe presidentit Donald Trump per rolin e tyre percakues ne arritjen e kesaj marreveshje historike. “
Kryetarja e LSI-së, gjithashtu foli për një ditë të veçantë për historinë e Kosovës.
“Sot SHBA dhe Presidenti Trump udhëhoqën procesin e firmosjes së një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë.Kjo është një ditë e mirë për Kosovën dhe një hap i madh përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve, njohjes reciproke dhe krijimit të një klime paqeje dhe stabiliteti në rajon” shkruan në facebook Monika Kryemadhi.
Edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim,e ka cilësuar marrëvbeshjen një hap të madh përpara për paqen dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Duke u përqëndruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrijnë një përparim të vërtetë në bashkëpunimin ekonomik në një gamë të gjerë çështjesh” shkruan ajo në twitter. /oranews