Rama: Komuna s’ka pasur ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Komuna e drejtuar prej tij e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë dhe, rrjedhimisht, siç thotë ai, nuk ka pasur ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë.

Të hënën dhe të martën qytetarë të shumtë reaguan nëpërmjet rrjeteve sociale pasi tatimi në pronë për vitin 2023 u erdhi me dyfish të vlerës në krahasim me tatimin në pronë të një viti më herët.

Komunat kanë fajësuar Ministrinë e Financave për vlerësimin e ri të pronave, ndërsa Murati në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike ka thënë se me këtë vlerësim “komunat kanë qenë të pajtuara”.

Por Rama mohon se ka pasur gisht Komuna në rritjen e faturës.

“Që prej dje kam marrë shqetësime të arsyeshme nga ju në lidhje me ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë. Për të evituar hutinë e shkaktuar nga deklaratat e nxjerra deri më tash, dëshiroj ta bëj më se të qartë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, të cilët janë ata që direkt preken nga ky proces. Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njejtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë. Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Prandaj, ju siguroj se Kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhur si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave”, thuhet tutje në sqarimin e kreut të Prishtinës.

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button