Rama: Kosova po e kthen dialogun me Serbinë në një monolog
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook” ka thyer heshtjen pas kritikave të shumta që ka marrë lidhur me iniciativën e “Open Ballkan”, ku Shqipëria ka hyrë bashkë me Serbinë e me Maqedoninë, por që është refuzuar nga Kosova.
Rama ka kritikuar Prishtinën duke thënë se ndërkombëtarët po e humbin durimin me Kosovën. Ai tutje ka thënë se “Open Ballkan” duhet të shihet edhe si rrugë që sjell njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
Rama postimin e tij e nisi duke e komentuar fotografinë me kampionet olimpike nga Kosova, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Ka thënë se ka përjetuar kënaqësi të veçantë për vizitën e tyre në Tiranë, ndërsa ka shtuar se kur i është kërkuar të dalë në fotografi ka thënë me ironi se “Po unë jam tradhtar, s’dua t’ju hap telashe!”.
“Qeshën shumë në fakt dhe i bëmë fotografitë, që kishin dëshirë edhe t’i postoja në faqen time. Mirëpo, siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit dhe po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim. Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste. Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja. Por dy fjalë sa më shkurt për një bisedë kaq të gjatë, s’po i le pa thënë me këtë rast”, ka shkruar Rama.
Tutje ai ka thënë se Kosova e ka fituar paqen me ndihmën e ndërkombëtarëve, ndërsa ka shtuar se tash po mundohet t’ia “tregojë babait arat” kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a Bashkimin Evropian.
“E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike. A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)? E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën”, ka shkruar tutje ai.
Më tej, Rama ka thënë se Kosova po e kthen dialogun me Serbinë në një monolog. Për këtë ka thënë se po i acaron nervat e aleatëve të saj strategjikë.
“A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas, si edhe duke e futur në shabllonin vulgar të tradhëtisë dhe vetë politikën e re rajonale të Tiranës zyrtare? E bëj këtë pyetje këtu, për t’iu thënë të gjithë atyre në Kosovë që e kanë gjetur tradhëtarin tek unë, se së pari, unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”, ka shtuar Rama.
Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama “Ballkani i Hapur” është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb evropian që përkatësinë e vet e ka në Evropën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan.
“Dhe së fundi, kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t’i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë. Por ama askush në Kosovë a në Shqipëri qoftë, të mos presë assesi që unë dhe shumica e re qeverisëse e Shqipërisë, të heqim dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur – përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. E cila bëhet me mend, krah për krah me aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Shqipërisë e të Kosovës, e jo me “lulin” e kinse patriotizmit digjital. Koha do të flasë më shumë e më mirë!”, ka përfunduar Rama./21Media