Rama: Kurti ka deficit personal, s’ka asnjë kontribut në ndërtimin e institucioneve të Kosovës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për mungesë të kontributit në luftën çlirimtare dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe për përdorim të propagandës politike.
Sipas Ramës, lideri i VV-së, Kurti “ka deficit të madh politik dhe personal”, ndërsa pretendoi se ai përpiqet ta mbulojë këtë mungesë përmes sulmeve ndaj figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Albin Kurti ka deficit të madh politik dhe personal, sepse nuk ka asnjë kontribut as në luftën çlirimtare dhe as në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkruan Rama në Facebook.
Sipas tij: “Prandaj, në vazhdimësi përpiqet ta mbulojë këtë mungesë me propagandë, duke sulmuar figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si “hajna” e “kriminelë” dhe, me ligësinë më të madhe, duke tentuar që familjet më të mëdha atdhetare t’i bëjë pjesë të diskursit të fushatës”.
Rama kritikoi edhe qeverisjen gjashtëvjeçare të Kurtit, duke thënë se vendi është përballur me varfëri dhe stagnim ekonomik.
“Për gjashtë vjet në pushtet, e ka zhytur vendin në varfëri dhe stagnim. Pa asnjë projekt madhor, pa zhvillim kapital dhe pa asnjë rezultat konkret”, u shpreh Rama.
Tutje, ai tha se qytetarët kanë nevojë për zhvillim dhe mirëqenie, e jo, siç tha ai, “filma propagandistikë të kohës së komunizmit”.
Rama kërkoi nga kryeministri që të prezantojë rezultate konkrete dhe raporte për gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?