Rama: Lajm fantastik për Prishtinën
Objekti i “Kino Rinia” i është rikthyer në menaxhim kryeqytetit pas shumë vitesh. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka quajtur këtë një lajm fantastik për Prishtinën.
Rama ka thënë se pas një pune disa mujore të Drejtorisë së Pronës, e cila ka siguruar dokumentacionin dhe ka bërë verifikimin e tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit në mbledhjen e djeshme të Bordit ka votuar pro kërkesës së Komunës së Prishtinës për rikthimin e Kino Rinisë nën menaxhimin e kryeqytetit. “Kjo, pasi kemi vërtetuar nga Arkivat Komunale e Ndërkomunale që ky objekt është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe se deri tash, padrejtësisht është menaxhuar si ndërmarrje shoqërore nga AKP”, ka thënë Rama.
Kryetari në shkrimin e tij në Facebook ka falënderuar Drejtoren e Pronës, Doruntinë Maloku dhe gjithë stafin për përkushtimin disa mujor për kthimin e “KINO RINISË” në menaxhimin e kryeqytetit. “Javën tjetër menjëherë do të nisim me planin e rigjenerimit të një prej ikonave të kryeqytetit”./21Media
