Rama mbron projektin e portit: O me Durrësin në majë, o me ata në plehra!

Berisha tha se bashkëpunëtorët kryesorë në këtë aferë janë vëllezërit Karriç

Debati mbi Portin e Durrësi mbetet çështja kryesore e ditëve të fundit teksa opozita akuzon kryeministrin, Edi Rama për korrupsion, vjedhje dhe pastrim parash në shifra stratosferike nëpërmjet këtij projekti.
Kryedemokrati, Sali Berisha tha dje se bashkëpunëtorët kryesorë në këtë aferë janë vëllezërit Karriç.
Ndërkohë sot Rama përmes një postimi në Twitter mbrojti sërish projektin.
“Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon,i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë o me ata në plehra!”, ka shkruar ai.
Sipas Berishës aksioneri kryesor në atë që e konsideron megaaferë është vetë Edi Rama me 60% të aksioneve, dhe bashkë me të vëllezërit Karriç.
“Tani, lidhjet janë të kristalta me Beogradin dhe Lukashenkon e Bjellorusisë nëpëmjet vëllezërve Karriç. Vëllezërit Karriç pasi u vendosën në sanksione për bashkëpunim me Llukashenkon, kompanitë e tyre të regjistruara në Qipro, i shitën në Emiratet e Bashkuara dhe konkretisht tek këto kompani që po merret Edi Rama me to”, tha ai.
Qeveria deklaron se për realizimin e ndërtimit të portit të ri të Durrësit sipërfaqja e tokës që do të shfrytëzohet nuk do vihet kolateral për bankat. Ndërsa mohon akuzat e opozitës, qeveria thotë se në këtë projekt nuk ka pronarë shqiptarë.

Back to top button