Rama: Në majat e dëshpërimit, pasioni i absurdit e vetmja forcë që hedh dritë mbi terrin e kaosit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një thënie filozofike ka thumbuar, ish-kryeministrin Sali Berisha i cili në stadiumin “Air Albania” ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, hedhi akuza ndaj qeverisë duke thënë se Tirana është kthyer në epiqendër të luftës së ftohtë kundër Prishtinës.
Rama shpërndau thënien e filozofit rumun Emil Cioran, ku thotë se në majat e dëshpërimit, pasioni i absurdit është e vetmja forcë që mund të hedhë një dritë djallëzore mbi terrin e kaosit.
“Në majat e dëshpërimit, pasioni i absurdit është e vetmja forcë që mund të hedhë një dritë djallëzore mbi terrin e kaosit. Kur të gjitha arsyet – morale, estetike, fetare, sociale e me radhë – pushojnë së udhëhequri jetën e dikujt, si mundet ai të jetojë pa iu dorëzuar hiçasgjësë? Vetëm duke u kapur pas absurdit, pas dashurisë për padobishmërinë absolute, duke dashuruar diçka që s’ka asnjë thelb por që simulon iluzionin e jetës. I bie të jetosh vetëm e vetëm sepse malet nuk qeshin dhe krimbat nuk këndojnë”, është thënia që ka shpërndarë Rama.