Krasniqi: Sportistët e rinj të ndjekin rrugën e Majlinda Kelmendit

Heroinë të kombit, xhudisten nga Peja e ka quajtur edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi. Ai ka thënë se Majlinda është heroinë e të gjithë kombit shqiptar dhe se ajo e ka hapur derën për të gjithë sportistët e rinj që synojnë të arrijnë suksese në të ardhmen, ndërsa u shpreh i bindur se Kelmendi do të jetë e suksesshme edhe si trajnere e këtij sporti.
“Vetë fjala, kur gjithë populli, kombi shqiptar e quan heroina shqiptare, besoj që fjalë më të madhe se heroinë të jesh për një komb nuk ka fjalë më të madhe. Ajo është heroina jonë, unë e kam cekur edhe më herët që ajo i ka hapur dyert e sportit të Kosovës dhe iu ka treguar dhe iu ka dhënë shembull të gjithë sportistëve kosovarë e shqiptarë që me një punë të përkushtuar mund t’ia arrijnë qëllimin. Ajo e ka arritur atë qëllim, e ka hapur derën dhe tani asaj dere ia kanë mësyrë të gjithë sportistët dhe jo rastësisht kemi pasur edhe rezultate të tjera në ‘Tokio 2020’, ka thënë Krasniqi.
Më tutje, i pari i KOK-ut ka thënë se si prijës i këtij institucioni sportiv është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura nga sportistët në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, por shtoi se synohen trofe dhe fitore të reja edhe në ciklin tjetër të Lojërave Olimpike “Paris 2024”.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka ndarë shpërblime për të gjithë pjesëmarrësit në Lojërat Olimpike si dhe ka ndarë bursa për 22 sportistë të rinj dhe Krasniqi premtoi se do të ketë mbështetje edhe më të madhe në këtë drejtim si dhe zbuloi se së bashku me ministrin e sportit Hajrulla Çeku janë duke punuar për investime të tjera në infrastrukturën sportive.
”Keni parë fjalimet e sportistëve të cilët kanë qenë shumë të motivuar dhe kjo ka qenë arsyeja, që t’i motivojmë dhe ne do të përpiqemi që t’i motivojmë edhe më shumë në të gjitha aspektet edhe financiare edhe përgatitore, por në të ardhmen, bisedimet të cilat i kemi edhe me ministrin…të ndikojmë edhe në ndërtimin e infrastrukturës ku është nevoja më e madhe për sportistët tanë në të gjithë Kosovën”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, në Lojërat Olimpike që u zhvilluan këtë vit, Kosova mori pjesë me 11 sportistë, i fitoi dy medalje të arta dhe u rendit në vendin e 42-të në botë.

Back to top button