Rama ngushëllon për policin e vrarë, kërkon ndëshkim maksimal për dorasin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të Forcave “Shqiponja” E. M., 34 vjeç me rastin e vrasjes së tij në malin Boden të bashkisë Maliq, mëngejsin e së enjtes.
Në një postim në rrjetet sociale Rama theksoi se do të ketë ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që, sipas tij, nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj.
Kryeministri tha se “gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli”.
“Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër”, theksoi Rama në postimin e tij.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?