Rama: Operacion shembullor, është goditur një çerdhe e të korruptuarish në Polici

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka cilësuar shembullor operacionin e SHÇBA-së dhe SPAK, ku u dhanë masa sigurimi për 34 punonjës policie të akuzuar për korrupsion në pikën kufitare të Morinës.
“Përgëzime SHÇBA-së dhe SPAK-ut për operacionin shembullor të goditjes së një çerdheje të korruptuarish në Policinë e Shtetit. Uroj që kjo frymë e cilësi bashkëpunimi të vazhdojë në funksion të fshirjes së çdo njolle që ndot uniformën e policisë”, shkroi Rama në Twitter.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe drejtorin e kësaj drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Masat e sigurimit personal janë: ‶Arrest në burg‶ për 17 persona punonjës policie, ‶Arrest në shtëpi‶ për 14 shtetas dhe punonjës policie si dhe ‶Pezullim nga detyra‶ ndaj 3 punonjës policie.
Po ashtu edhe Policia e Kosovës sot ka arrestuar 26 Policë në pikë kalimin kufitar Vërmicë./21Media

Back to top button