Rama për veriun e Kosovës: Mund të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se çka po ndodhë në veriun e Kosovës është rrezik që të hapet një konflikt. Kështu është shprehur Rama në një bashkëbisedim me Eksperten e Qendrës Evropiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo.
Rama potencoi se në veri është ngritur një palë e tretë që sipas tij, janë grupet ekstreme.
Ai shton se edhe çështja e Kosovës duhet të trajtohet në të njëjtën mënyrë si Ukraina, ani se konflikti atje është më i madh.
“Unë jam shumë i rehatuar nga fjala e Presidentit Biden sot në Këshill, Ballkani Perëndimor, sot në lidhje me sigurinë ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi të Ukrainës, nuk aq i vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme, ajo çka po ndodhë është shumë e rrezikshme me pjesën e veriut të Kosovës, që të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit teksa lehtësimi i BE-së punon me dy palët me Prishtinën dhe Beogradin ka një palë të tretë që është duke u ngritur, që janë grupet ekstreme në veri të Kosovë, që është krijuar ndër vite si vend parajse për aktivitet kriminale, trafikimit të drogës, armëve, prodhimit të kriptovalutave”, u shpreh Rama.
Rama në samitin e NATO-s: KFOR duhet të ketë qëndrim më të fortë në veri të Kosovës
Rritja e mbrojtjes së NATO-s dhe lehtësimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nga BE është kombinimi që duhet për të mbajtur nën kontroll situatën në veri të Kosovës, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Këto deklarata të Ramës vijnë në bashkëbisedimin e tij me Eksperten e Qendrës Evropiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo, gjatë samitit të NATO-s në Lituani.
“Mendoj se është koha që të kombinojmë këtë dialog të lehtësuar nga BE me një qëndrim më të fortë të NATO-s nëpërmjet KFOR”, tha Rama.
Gjithashtu, kryeministri Rama ka përforcuar pozicionimin e Shqipërisë krah Ukrainës në konfliktit me Rusinë. Kreu i qeverisë theksoi se një vend si Shqipëria e di mirë vlerën e lirisë, pasi i është dashur kohë dhe sakrificë për ta fituar atë, pas shumë vitesh komunizëm.
“Për ne vjen natyrshëm, sepse ne e kemi mësuar vlerën e lirisë dhe demokracisë gjatë gjithë jetës së shtetit tonë. Ne kemi qenë të deprimuar nga të drejtat me metodat më brutale të para ndonjëherë brenda perandorisë komuniste. Shqipëria është një vend ku popullariteti i Vladimir Putinit shkon nga 0.7-1.2%”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, Rama theksoi se NATO duhet të mbështesë akoma më shumë Shqipërinë në luftën ndaj krimit kibernetik.
NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA