Rama shpërndan fjalimin e Thaçit: Çorbë e shpifur kur sheh çlirimtarët duke u akuzuar si kriminelë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, edhe një herë ka përsëritur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk do të mundet nga padrejtësia, duke iu referuar nisjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Tribunali i Hagës.

Rama në një postim në Instagram derisa ka shpërndarë fjalimin e ish-presidentit Hashim Thaçi të bërë sot në Speciale, ka shkruar se “është një çorbë e shpifur, kur i sheh ata që udhëhoqën luftën çlirimtare të një populli të shtypur egërsisht, të akuzohen si kriminelë”.

“SIGURISHT QË PO! Por prapëseprapë është aq e pagëlltitshme një çorbë kaq e shpifur, kur i sheh ata që e udhëhoqën luftën çlirimtare të një populli të shtypur egërsisht, të akuzohen si kriminelë lufte nga një organ i krijuar mbi bazën e fantazive të shthurrura me trafik organesh! MEGJITHATË UÇK NUK DO TË MUNDET NGA PADREJTËSIA”, ka shkruar Rama në Facebook.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Edi Rama (@ediramaal)

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që po akuzohet për krime lufte nga Specialja, ka mohuar pretendimet e Prokurorisë. Ai ka thënë se është tërësisht i pafajshëm e se i vjen keq për të gjitha viktimat.

Ai i ka thënë trupit gjykues se ndjen keqardhje për të gjitha viktimat e luftës por ka shtuar se viktimat nuk marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit.

Gjatë deklaratës së tij, të bërë pa betim në gjykatore, Thaçi ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Thaçi ka përmendur raportin e senatorit zviceran Dick Marty ku përmendej “trafikimi i organeve dhe shtëpia e verdhë”.

Ai ka thënë se ndërkombëtarët i kishin thënë se duhej themeluar gjykata në mënyrë që të largohet reja e zezë mbi Kosovën.

“Bota tani e di qe nuk kishte trafikim organesh dhe ‘shtëpia e verdhë’ nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë unë, dhe populli jemi shfajësuar nga kjo. E vërteta është ditur dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Sakrifica ia ka vlejtur. Pres te shfajësohem nga çdo akuzë në fund të këtij procesi”, ka thënë Thaçi.

Bazuar në kalendarin e Dhomave të Specializuara, seancat në rastin “Thaçi e të tjerët” do të vazhdojnë edhe më 5 prill, pastaj më 11, 12, 13 dhe 17, 18, 19 e 20 prill./21Media

Back to top button