Thaçi: Më vjen keq që për pafajësinë time s’mund të dëshmojë Rugova, Agani, Albright…

(Lajm i përditësuar)

Thaçi: Pres që të shfajësohem nga çdo akuzë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që po akuzohet për krime lufte nga Specialja në fjalimin e tij në këtë Gjykatë tha se pret të shfajësohet nga çdo akuzë.

“Unë në pres që të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër në fund të këtij procesi. Unë besoj te Tribunali i Hagës, UNMIK, ELUEX, dhe Dhomat e Specializuara. Unë jam intervistuar nga këta mekanizma edhe në cilësinë e dëshmitarit dhe të dyshuarit. Çdo bashkëpunim i im me gjithë këta akterë ndërkombëtarë ka qenë në interes të drejtësisë dhe plotësisht transparent qoftë në Prishinë, qoftë në Hagë. Gjithçka që thuhet tjetër është e paqëndrueshme. Prandaj askush nuk mund dhe nuk duhet ta shkruajë historinë. Ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqë, në të vërtetë, pajtim dhe drejtësi. Dhe kam besim se ky proces do të jetë i drejt, transparent dhe i shpejt”, ka thënë Thaçi.

Thaçi: Më vjen keq që për pafajësinë time s’do të mund të dëshmojë Rugova, Agani, Albright e Hoolbroke

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se i vjen keq që për pafajësinë e tij s’do të mund të dëshmojnë disa figura të larta botërore, por edhe vendore.

Thaçi ka përmendur Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin, Madeleine Albright, Richard Hoolbroke e disa të tjerë, duke thënë se i vjen keq që s’do të mund të dëshmojnë në këtë Gjykatë.

“Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë që kam thënë dhe bërë”, tha Thaçi.

Ai ka thënë se megjithatë për të do të dëshmojnë “shumë të tjerë që janë të interesuar”.

Thaçi: Jam i pafajshëm, Kosovës iu hoq reja e zezë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që po akuzohet për krime lufte nga Specialja, ka mohuar pretendimet e Prokurorisë. Ai ka thënë se është tërësisht i pafajshëm e se i vjen keq për të gjitha viktimat.

Ai i ka thënë trupit gjykues se ndjen keqardhje për të gjitha viktimat e luftës por ka shtuar se viktimat nuk marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit.

Gjatë deklaratës së tij, të bërë pa betim në gjykatore, Thaçi ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Thaçi ka përmendur raportin e senatorit zviceran Dick Marty ku përmendej “trafikimi i organeve dhe shtëpia e verdhë”.

Ai ka thënë se ndërkombëtarët i kishin thënë se duhej themeluar gjykata në mënyrë që të largohet reja e zezë mbi Kosovën.

“Bota tani e di qe nuk kishte trafikim organesh dhe ‘shtëpia e verdhë’ nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë unë, dhe populli jemi shfajësuar nga kjo. E vërteta është ditur dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Sakrifica ia ka vlejtur. Pres te shfajësohem nga çdo akuzë në fund të këtij procesi” ka thënë Thaçi.

“Kam besim se ky proces do të jetë i drejtë dhe transparente”, ka shtuar ai.

Me fjalimin e Thaçit ka përfunduar edhe paraqitja e deklaratës hyrëse nga ekipi i tij mbrojtës.

Në pjesën tjetër të seancës, për 45 minuta do të flasin nga ekipi mbrojtës i Kadri Veselit.

Ndërsa më vonë pritet që të flas pa betim edhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Avokati i Thaçit thotë se s’ka pasur politikë për shënjestrimin e kundërshtarëve

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, ka vazhduar mbrojtjen duke thënë se Prokuroria e Specializuar tani po bie në kundërshtim me disa vendime të mëhershme që ishin marrë nga Tribunali i Hagës për krime lufte për ish-Jugosllavi.

Duke cituar disa ish-vendime shfajësuese të Tribunalit, Mishetiq tha se atëbotë ishte vërtetuar se nuk ka pasur sulm sistematik dhe të gjerë ndaj civilëve në Kosovë dhe se nuk ka pasur politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të shënjestruar kundërshtarët.

“ZPS-ja duhet të thotë tani se të gjitha institucionet që i kanë trajtuar këto çështje më herët i kanë pasur konstatime të gabuara”, tha ai.

Tutje, sipas avokatit mbrojtës, në mënyrë që Prokuroria të vërtetojë akuzat për krime lufte, ata duhet të konstatojnë se lufta apo konflikti i armatosur ka vazhduar edhe pas qershorit të vitit 1999.

Mishetiq: Thaçi s’pajtohej me krimet ndaj civilëve serbë

Avokati i Hashim Thaçit tha se klienti i tyre nuk ishte i kënaqur me largimin e civilëve serbë nga Kosova, pas mbarimit të luftës.

Avokati i tij, Luka Mishetiq, tha se as Thaçi e as Shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishin pajtuar me sulmet dhe frikësimet e vazhdueshme ndaj popullatës së pafajshme në Kosovë, duke e dokumentuar me pamje e fjalime të Thaçit.

“Thaçi nuk ka qenë i kënaqur nga këto krime dhe ‘është e besueshme që udhëheqësi i UÇK-së, Hashim Thaçi së bashku me shumë prej komandantëve të lartë, mund të mos jenë të kënaqur me këto sulme dhe frikësim të vazhduar ndaj popullatës shqiptare të Kosovës’”, tha ai.

Sipas mbrojtësit, Thaçi kishte kërkuar që serbët e larguar të ktheheshin dhe të punonin “për ndërtimin e paqes në Kosovë”.

Avokati i Thaçit: Aktet e lokalizuara të dhunës u kryen edhe nga njerëz që prezantoheshin si UÇK

Gregory Keohe avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, duke folur për periudhën pas çlirimit të Kosovës dhe nisjes së administrimit të Kosovës nga UNMIK-u, tha se krime mund të kenë ndodhur në nivel lokale me motive hakmarrjeje.

“Aktet e lokalizuara të dhunës individuale të nxitura nga zemërimi, urrejtja, mungesa e llogaridhënies ishin të pashmangshme”, tha Kehoe duke thënë se njerëzit që ishin kthyer nga dëbimi i gjetën pronat e tyre të djegura dhe të dëmtuara.

“[Aktet e dhunës] shpesh shkaktoheshin nga kriminelët, elementët keqbërës të UÇK-së, njerëz që prezantoheshin si UÇK, mbanin uniforma të blera në rrugët e Prishtinës e gjetkë”, tha tutje avokati.

Ai prezantoi edhe një pjesë të intervistës dhënë në korrik të vitit 1999 të ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark lidhur me krimet hakmarrëse ndaj serbëve lokalë.

UÇK-ja “nuk kishte strukturë komande”

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, tha se për shkak të ofensivave serbe në Kosovë, më 1999, shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjitshëm, kishin ikur nga Kosova.

“Ofensiva serbe e dyta, po flasim për fushatën masive të vitit 1999, pengoi çdo mundësi që UÇK-ja të vepronte apo funksiononte si një njësi e bashkuar”, tha avokati Gregory Kehoe.

“Nuk kishte strukturë komande të UÇK-së dhe me siguri nuk kishte strukturë efikase”, shtoi ai.

Thaçi dhe tre të akuzuarit e tjerë akuzohen se kanë themeluar Shtabin e Përgjithshëm dhe se ky trup ka shënjestruar “kundërshtarët” e perceptuar të UÇK-së.

 Avokati: Kur Thaçi ishte në Rambuje nuk kishte kontroll mbi UÇK-në

Avokati Gregory Keohe, tha se kur Thaçi ishte në Rambuje nuk kishte kontroll mbi UÇK-në.

Ai tha se Thaçi, dhe Azem Syla, që atëbotë ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së ishin në Rambuje, kur Syla u shkarkua dhe u zëvendësua me Sylejman Selimin.

“Hashim Thaçi nuk kishte mundësinë të parandalonte apo të ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona. Pushteti real u takonte komandantëve të zonave”, tha ai.

Kehoe, sërish insistoi se Thaçi nuk kishte pushtet real gjatë luftës, ashtu siç pretendon prokuroria se ai ka udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

“Hashim Thaçi nuk kontrollonte UÇK-në, e kontrollonin komandantët e zonave”, tha ai.

Avokati thotë se Thaçi s’ka pasur motiv të kryejë krimet për të cilat akuzohet

Gregory Keohe, avokat i Hashim Thaçit, ka mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Hagë ka nisur dita e dytë e gjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Duke dhënë fjalën mbrojtëse, avokati Keohe ka mohuar gjithçka që një ditë më parë deklaroi Prokuroria Special.

Sipas avokatit Hashim Thaçi, nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime.

“Motivi është shumë i rëndësishëm. Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv që të merrte pjesë në krime si një prej udhëheqëse të UÇK-së e dinte se suksesi i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, varej nga mbështetja e vendeve perëndimore sidomos nga SHBA-të”, ka thënë Keohe.

Avokati i Thaçit tha se Serbia ka kryer krime në Kosovë që shpesh kanë pasur për bazë edhe hakmarrjen.

Keohe tutje ka përmendur dëbimin me forcë të shqiptarëve të Kosovës dhe masakrat e kryera nga Serbia, duke prezantuar pamje nga raportimet e mediave ndërkombëtare.

 

Sot në Gjykatën Speciale fjalën e ka mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së

Sot fjalën e saj do të thotë mbrojtja e të akuzuarve. Në seancën e cila do të fillojë në orën 09:00 sipas kohës lokale në Kosovë, por që sinjali i transmetimit vjen për 45 minuta me vonesë, për shkaqe sigurie, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në pika të shkurtra, do të paraqesin mbrojtjen e tyre kundër akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Këta të fundit, të hënën nga ora 09:00 deri në orën 17:00, me dy pauza, paraqiten pikat e aktakuzës ndaj ish drejtuesve të UÇK-së.

Bazuar në kalendarin e Dhomave të Specializuara, seancat në rastin “Thaçi e të tjerët” do të vazhdojnë edhe më 5 prill, pastaj më 11, 12, 13 dhe 17, 18, 19 e 20 prill.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë u deklaruan të pafajshëm.

Back to top button