Rama: S’kam dyshuar që do vinte dita që Kosova do ta pranonte “minishengenin”

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke komentuar marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar dje në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se nuk ka dyshuar asnjë çast që do të vinte dita që Kosova do ta pranonte Shengenin Rajonal, por e ka “lodhur” vetëm refuzimi i pafundëm dhe koha e humbur kot që e futi Kosovën në një rrugë qorre defaktorizimi ndërkombëtar e ftohjeje me aleatët e saj më të mëdhenj, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë.

Rama ka shkruar se e ka lexuar me vëmendje marrëveshjen e nënshkruar dhe përtej kënaqësisë që u arrit, falë përfshirjes së Shteteve të Bashkuara – si edhe përtej lajmit fantastik të njohjes së Kosovës nga Izraeli, ka ndjesinë e hidhur të faktit se çka është firmosur dje, s’ka asgjë që nuk është pjesë e planit të kahershëm për Shengenin Rajonal, rrjedhojë logjike e procesit të Berlinit, ndërkohë që koha e humbur deri dje është rrënqethëse.

“Ajo që në shqip u damkos me vite si tradhëti kombëtare, në anglisht u kthye brenda një dite në arritje historike. Lexova pikën e marrëveshjes ku flitet për një infrastrukturë tokësore që do të nxjerrë Serbinë dhe Kosovën në një port të thellë në Adriatik. Në Durrës i bie, sepse është llafi për atë rrugën Nish – Prishtinë – Durrës, që Saliu e ka pagëzuar si “rruga e turpit të tradhëtisë së Edvin Zografit”! Ajo rrugë ka qenë në tryezën e çdo raundi të Procesit të Berlinit, madje Albini pat kujtuar se dolën në shesh hartat e ndarjes së Kosovës, kur pa një foto nga Berlini ku ishte Kancelarja e Gjermanisë, Hashimi, Presidenti i Serbisë dhe unë duke parë vijën e asaj rruge mbi një hartë të Ballkanit Perëndimor! O Zot”, ka shkruar ndër të tjera Rama në Facebook.

 

 

Back to top button