Rama: Vuçiq s’ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në samit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është përgjigjur paralajmërimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq i cili la të kuptohej se nuk do të vijë në samitin e BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, takim i cili mbahet më 6 dhjetor.
Rama u shpreh gjithashtu se është vendim strategjik zgjedhja që samiti të bëhet në Tiranë.
“Jemi 48 orë nga një ngjarje e jashtëzakonshme, historike. Të gjithë liderat e BE zbresin në Tiranë, për herë të parë në një vend jo të Bashkimit Evropian, në një samit të BE-së së bashku me Ballkanin Perëndimor. Vendim strategjik zgjedhja që samiti do të bëhet në Tiranë. Kthesë strategjike e nxitur nga pandemia si fillim, pastaj edhe nga agresioni rus në Ukrainë në vijim. Është një investim strategjik për Shqipërinë. Nuk është një stacion i zgjedhur rastësisht, është i mire menduar”.
Rama tha se është i bindur që Vuçiq do të vijë në samit dhe sipas tij, nëse nuk vjen, kjo do të ishte një katastrofë për të dhe Serbinë.
“Unë nuk emocionohem nga asnjë lloj deklarate që bëjnë politikanët brenda apo jashtë vendit tonë për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do jetë në samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në samit, j’ua them me bindje sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe atë vetë natyrisht”, tha Rama./21Media

Back to top button