Ramadani: Kosova e përgatitur të përballet me valën e dytë të Covid-19

 

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), Naser Ramadani ka deklaruar se Kosova është e përgatitur që të përballet me valën e re të pandemisë së koronavirusit.

“Si shtet jemi të përgatitur edhe për valën e dytë apo të tretë të COVID-19. Jemi të përgatitur në të gjitha aspektet menaxheriale, organizative, vendimmarrëse, politike, zbatuese, ekzekutive e legjislative që t’i dalim përballë valës së re eventuale që pritet të jetë jo vetëm në Kosovë por edhe në të gjithë botën prej tetorit e tutje”, ka thënë Ramadani, pas vizitës në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

Sipas tij, nëse qytetarët vazhdojnë t’u përmbahen rekomandimeve të distancës, maskës dhe higjienës, Kosova do të jetë rrugë të mbarë të zvogëlojë pandeminë.

Ramadani ka thënë se do të ketë vaksinim për gripin sezonal fillimisht te popullata e ndjeshme.

Që nga shfaqja e rastit të parë  në muajin mars e deri më sot në Kosovë me koronavirusi janë infektuar 13.454 persona, prej tyre 525 persona kanë vdekur. /21Media

Back to top button