Ramës i kërkohet ta anulojë takimin me Vuçiqin
Nga Kosova një porosi për Ramën
Deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj ka kërkuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që ta anulojë takimin e 21 dhjetorit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Para një jave, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq bëri një deklaratë skandaloze, ku mohoi masakrën e Reçakut, madje duke e konsideruar shpikje ?! Pikë së pari, si një bashkëkombase e Juaja, por edhe si një Deputete e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, kërkoj nga Ju, që së paku në bazë të përgjegjësisë morale, të anuloni takimin Tuaj të paraparë për 21 Dhjetor në Durrës, me njeriun që në vend se të kërkoj falje, ai vazhdon t’i mohoi krimet e pushtetit të atëhershëm serb, pjesë e të cilit ishte edhe vet si ministër.”, ka shkruar Reshitaj në Facebook.
Ajo tutje i ka thënë Ramës që të mos diskutojë më Vuçiq deri sa ai të reflektojë mbi deklaratën e dhënë për Masakrën e Reçakut.
“I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Ju nuk duhet të uleni e të flisni sërish me të, deri sa ai të reflektoi për deklaratën e dhënë. Kjo nuk është fyerje vetëm për familjarët e viktimave, apo vetëm për shtetin e Kosovës, por është fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve !”, ka përfunduar Reshitaj.
Më 21 dhjetor të këtij viti do të mbahet mbledhja e radhës në kuadër të bisedimeve për “minishengenin ballkanik”. Ideja e “minishengenit” është kundërshtuar fuqishëm institucionet e Kosovës, në anën tjetër kryeministri shqiptar, Edi Rama pas Samitit të Ohrit mbajtur më 9 nëntor 2019 pat deklaruar se Kosova u vetpërjashtua pa asnjë arsye nga “Shengeni Ballkanik”.
Më 10 tetor kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ranë dakort gjatë një takimi në Novi Sad, që brenda vitit 2021 të eliminohen kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit./21Media