Raportimet për Berishajn, Abdixhiku i quan rezistencë të pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur në lidhje me skandalin e ambasadorin në Slloveni, Martin Berishaj, teksa këtë e ka quajtur rezistencë të pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend.
Sipas Abdixhikut nuk kishte asnjë arsyetim refuzues, madje as arsyetimi i luftës në Ukrainë.
”Merreni me mend – s’duhej të bëhej ky hetim; as preteksti i ligjshmërisë së nënshkrimeve nuk kishin kuptim. Vetëm një hall i madh prodhonte arsyetime të pashpresa si këto. Por sa më i zëshëm refuzimi i tyre, aq më i domosdoshëm bëhej insistimi ynë. Sot, hetimi parlamentar nuk ka alternativë. Ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë. Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim tē gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në ”Facebook”.
Që nga java e kaluar, tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kushtëzuan pjesëmarrjen e tyre në votim me formimin e komisionit hetimor për krizën energjetike. Kryetari i LDK-së ka treguar bojkoti i tyre votues në Kuvend, nuk do të merr fund deri në formimin e Komisionit Hetimor për Energji.
”Sepse s’ka ligj, s’ka temë e s’ka çështje tjetër më me rëndësi se sa kjo me energji. Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë. Deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i Komisionit Hetimor, e shkarkimi i Bordit të Rregullatorit – që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave – janë hapa të parë në këtë drejtim”, ka shkruar tutje Abdixhiku.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka qenë në qendër të një raportimi për një skandal të madh në Slloveni në të cilën thuhej se ka transportuar 600 mijë euro para të gatshme nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven, kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob. Por, Berishaj ka mohuar të ketë gisht në këtë skandal duke thënë se do të padisë portalin slloven që e ka publikuar. /21Media

Back to top button