Raportohen 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve për 10 muaj

Në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë raportuar gjithsej 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave që nga janari e deri në fund të muajit tetor të këtij viti .

Në njoftimin e AGK-së thuhet se në këto 63 raste të raportuara, 30 raste janë shënuar përgjatë raportimit të gazetarëve dhe medieve në veriun e vendit, teksa pjesa tjetër e rasteve është raportuar nga terrene e raportime të tjera të ndryshme.

“Sipas të dhënave që posedon AGK-ja, vetëm për katër (4), prej rasteve të raportuar në organizatë dhe Policinë e Kosovës, ka filluar procedurë gjyqësore, ku sulmuesit/ve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji”, thuhet në komunikatë.

Sipas AGK-së komunat që prijnë me më së shumti raste të sulmeve dhe kërcënimeve të raportuara janë Prishtina me 22 raste, Zveçani dhe Leposaviqi me nga 13 raste. Teksa, komunat e tjera që janë raportuar rastet janë: Gjakova – 2 raste, Prizreni – 4 raste, Mitrovicë e Veriut – 1 rast, Fushë Kosova – 1 rast, Shtime – 3 raste, Kamenica -1 rast dhe Zubin Potoku – 2 raste.

Për të rritur ndërgjegjësimin e rëndësisë së ndëshkimit të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nesër (e enjte) më 2 nëntor, Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, do ta shënojë nëpërmjet një kampanje online duke publikuar qëndrimet e ambasadorëve, partnerëve, kolegëve gazetarë, si dhe juristëve të medias.

Njëherësh, në kuadër të platformës rajonale, Safe Journalists, AGK-ja së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të kërkojë nga kolegët që të raportojnë rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre në institucionet kompetente.

Gjithashtu, nesër, 2 nëntor me fillim nga ora 17:00, në Kino Armata, në bashkëpunim me British Embassy Pristina – do të shfaqet dokumentari “Lyra”, për jetën, veprën dhe vrasjen e gazetares, Lyra McKee.

Back to top button