Rashiq për rrahjen e djalit: Politikanët kanë kontribuar në këtë situatë

 

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive (PDS), Nenad Rashiq, ka fajësuar politikanët për ngritjen e tensioneve brenda komunitetit serb me rastin e rrahjes së dy grupeve të nxënësve të shkollës së mesme në Laplasela, në mesin e të cilëve ishte edhe djali i tij.

Ai theksoi se jetojmë në një shoqëri thellësisht të ndarë në të cilën ndarjet jo vetëm bëhen më të thella, por edhe më ekstreme dhe agresive, dhe, siç thotë ai, politikanët janë përgjegjës për gjithçka që po ndodh.

Ai pohon se në pushtet tani ndodhet “gjëja më e keqe që doli nga njerëzit”, dhe kjo reflektohet tek individi, familja dhe çdo pore e shoqërisë.

 “Ne thjesht nuk kemi përfaqësues adekuatë në Parlament dhe Qeverinë e Kosovës dhe kjo është arsyeja pse ne paguajmë çmimin. Qytetarët paguajnë çmimi dhe të rinjtë po largohen. Për fat të keq, ky trend po intensifikohet dhe do të ketë gjithnjë e më shumë njerëz që largohen, pikërisht sepse këtu ka mbizotëruar imoraliteti përmes atyre politikanëve që besojnë se ata duhet të ndjekin interesat e tyre në çdo mënyrë,” tha Rashiq.

Duke folur rreth rrahjes midis dy grupeve të nxënësve serbë të shkollave të mesme, më 22 shkurt në Laplasela dhe në të cilën djali i tij Nikola u lëndua rëndë, Rashiq nuk ka dyshim se ajo ishte organizuar paraprakisht. Për këtë pretendim, si dëshmi, ai paraqet korrespondencën në Instagram që djali i tij kishte me një nga nxënësit nga tabori tjetër. Përveç kërcënimeve, u shkëmbyen fjalë të vrazhda dhe fyerje.

“Është e çuditshme, le të themi, që 30 deri në 50 të rinj po prisnin jashtë, gjysma e tyre mbaruan shkollën tri, katër ose pesë vjet më parë. Gjysma e tyre kishin boksierë hekuri që u vunë në duar, çekanë, madje edhe thika. Tani, ju më thoni, a mund të thoni pas kësaj se në një farë mënyre ishte një rrahje spontane ose e organizuar, siç thonë disa, dy grupe “, tha Rashiq.

Mbetet të përcaktohet, siç thotë ai, nëse rrahja ishte spontane ose, në çfarë beson më shumë, ajo ishte e inspiruar drejtpërdrejt dhe inkurajuar nga politika, dhe ai do të sigurojë prova kyçe për gjithçka.

E gjithë kjo duhet te zbardhet në tërësi që të mos i ndodhë askujt më, thotë kryetari i PDS-së.

“Dua diçka që është shumë më e rëndësishme që kjo të parandalohet, dhe mund të parandalohet – vetëm nëse vërtetojmë se kjo kishte një ndikim nga jashtë. Për shkak të këtyre deklaratave të pa artikuluar që shumë politikanë kanë shtyrë për vite me radhë, kjo ka çuar jo vetëm në çrregullime në shoqëri, por edhe në identifikimin e të ashtuquajturve armiq të shoqërisë,” tha Rashiq.

Nikola, djali i Nenad Rashiqit, pësoi dëmtime në kokë në përleshjen midis dy grupeve të nxënësve të shkollës së mesme, nofulla iu thye dhe ka humbur disa dhëmbë të përparmë. Në të njëjtën përleshje, jo shumë larg shkollës në Laplasela, një nxënës tjetër i mitur u lëndua dhe është i shtrirë në spital. Policia arrestoi tetë pjesëmarrës në përleshje, shtatë prej të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit për një muaj nga Gjykata Themelore në Graçanicë, të mërkurën më 24 shkurt./kp

Back to top button