Raste të shtuara me gjuhë të urrejtjes

49 denoncime ende po procedohen

Gjuha e urrejtjes në Maqedoni po intensifikohet. Afrimi i zgjedhjeve presidenciale është një nga faktorët kryesorë për këtë dukuri. Partitë politike dhe simpatizuesit e tyre janë nxitësit më të mëdhenj të gjuhës së urrejtjes, thotë Xhabir Deralla, nga Qendra për liri,“Civil”. Ai shton se në organizatën e tyre, për çdo ditë arrijnë nga 10 denoncime që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes dhe lajmeve të rrejshme.

-Një pjesë e opinionit politik, thjeshtë nuk ka mjete të tjera përveç gjuhës së urrejtjes dhe lajmeve të rrejshme, për të bërë propagandë, për të bërë thirrje për dhunë dhe për të arritur qëllime të caktuara. Ky është një aktivitet “helmues”, i cili përfshin një numër të madh qytetaresh dhe qytetarësh, aktivitet ky i cili i tangon të gjithë. Bëhet fjalë për një komunikim publik i cili është i papranueshëm dhe i palejueshëm me ligj. Por, për vite të tëra vërejmë mungesë të reagimit nga institucionet kompetente”, theksoi Xhabir Deralla – OJQ “Civil”

Deri në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë arritur 49 denoncime për gjuhën e urrejtjes. Disa prej tyre ende pa epilog.

-Gjatë vitit 2018, Sektori për krim kibernetik dhe mjekësi digjitale ka pranuar 49 denoncime që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, respektivisht me dyshime për veprën e kryer penale: Neni 144 “cenimi i sigurisë” dhe Neni 394 “përhapja e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes sistemit kompjuterik” të Kodit Penal. Disa prej tyre kanë përfunduar, kurse disa të tjera ende po procedohen”, thuhet në komunikatën e MPB-së

MPB-ja u bën thirrje qytetarëve që përballen me kërcënime të këtilla ose janë dëshmitarë, të njëjtat t’i denoncojnë në stacionin më të afërt policor./21Media

Back to top button