Rasti i Salih Mustafës, afati për dorëzimin e dosjes së Apelit zgjatet deri më 24 prill 2023

Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Salih Mustafës lidhur me zgjatjen e afatit për dorëzimin e dosjes së vet të Apelit.

Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

Sipas njoftimit, paneli e autorizoi mbrojtjen që dosjen e vet të Apelit ta dorëzojnë më së largu deri më 24 prill 2023.

Në vendim mbi mocionin e mbrojtjes për ndryshimin e kufijve të kohës dhe fjalëve në dosjen e Apelit, thuhet se Mustafa ka kërkuar në mënyrë urgjente, një zgjatje të afatit kohor për paraqitjen e ankesës kundër aktgjykimit të lëshuar ndaj tij deri më 30 prill 2023.

Sipas kësaj kërkese kohëzgjatja e procedurës kërkohet me arsyetimin se gjykimi është i gjerë dhe atij i duhet kohë shtesë për të “përpunuar siç duhet” të gjitha bazat e ankesës.

Arsye tjetër sipas kërkesës është se i njëjti ende nuk e ka marrë në shqip versionin përfundimtar të përkthyer të aktgjykimit gjyqësor dhe po kështu është duke punuar nga një përkthim paraprak.

Ai po ashtu ka kërkuar një zgjatje prej 10.000 fjalësh për ankesë, me argumentin se “numri aktual i fjalëve për dokumentin nuk do të mjaftonte”.

Andaj paneli i Apelit ka vendosur që afati i dorëzimit të ankesës së Mustafës të jetë deri më 24 prill, duke konsideruar se do të siguronte kohë të mjaftueshme pas shpërndarjes së versionit final të përkthyer të aktgjykimit, duke pasur parasysh se një draft përkthim ka qenë në dispozicion të tij që nga mesi i shkurtit 2023.

Sipas këtij vendimi, paneli ka menduar se kjo do ta ndihmojë Mustafën në përfundimin e tij të ankesës në mënyrë më efikase brenda kohës së parashikuar.

Kurse, kërkesën për zgjatje të fjalëve paneli e ka refuzuar me arsyetimin se cilësia dhe efektiviteti i parashtresave në apel nuk varet nga kohëzgjatja e tyre, por nga qartësia dhe bindja e tyre.

Sipas panelit numri i bazave dhe nën-bazave të ankesës nuk e pengojnë në mënyrë të pashmangshme aftësinë e ankuesit për të paraqitur ankesë të spikatur dhe bindëse brenda kufirit të përcaktuar të fjalëve.

Ndryshe, më 16 dhjetor 2022, trupi gjykues e ka shpallur fajtor dhe ka dënuar Salih Mustafën me 26 vite burgim për krime lufte.

Faza paraprake ndaj Salih Mustafës zgjati mbi 11 muaj derisa gjykimi u zhvillua në 52 ditë. U dëgjuan 29 dëshmitarë, prej tyre14 të prokurorisë e 15 të mbrojtjes./Betimi për Drejtësi

Back to top button