Rasti “Stenta 2”, Faik Shatri thotë se asnjëherë s’e ka referuar ndonjë pacient të shkojë në një spital specifik

I akuzuari, Faik Shatri ka thënë se asnjëherë nuk ka referuar ndonjë pacient të shkojë në një spital specifik për shërim.

Këtë deklaratë Shatri e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi kishte mbetur të vazhdojë mbrojtjen nga seanca e kaluar ku kishte dhënë mbrojtjen edhe i akuzuari tjetër, Gani Bajraktari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shatri bashkë me 36 mjekë të tjerë në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Pos Shatrit në këtë seancë kanë dhënë mbrojtjen e tyre edhe Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, dhe Hajdin Çitaku.

I akuzuari Shatri ka vazhduar të tregoi për procedurën e një aplikacioni të pacientit i cili kërkon shërbime jashtë institucioneve publike, deri në miratimin apo refuzimin e të njëjtit.

Ai tha se nga Komisioni konziliar i QKUK-së e deri tek Bordi në Ministrinë e Shëndetësisë, lënda e pacientit mund të quhet vetëm aplikacion, pasi ky bord është organ ekzekutiv që mund ta miratojë apo refuzojë lëndën.

Po ashtu, ai tha se ky bord përcakton shumën e rimburësimit varësisht nga kategoria e pacientit, e që për disa e paguajnë 100 për qind të shumës e për disa 70 për qind.

Mirëpo, pas miratimit të kësaj lënde nga ky bord, sipas tij, sekretari permanent e ka në të drejtën e tij të vendosë ta procedojë apo jo lëndën më tutje, deri në shumën 9 mijë e 900 euro, kurse për shumat prej 10 mijë deri në 30 mijë euro ka vendosur ministri.

Ndërkaq, mbrojtësja e tij, avokatja Flutra Hoxha e ka pyetur atë për çështjen ku sipas saj, Prokuroria e ngarkon se ka tejkaluar kompetencat e tij dhe ka lëshuar dy letra referuese për trajtim jashtë vendit pas afatit prej 72 orësh.

“Po më është thënë nga prokurori i çështjes se unë i kom kalu kompetencat e mia si anëtar i komisionit konziliar. Që nga 25 shkurti 2016 i kom kërku dosjet e atyre 2 pacientëve”, është përgjigjur Shatri, duke shtuar se Prokuroria nuk ka qenë në gjendje t’ia sigurojë ato dy dosje.

I njëjti tha se prokuroria e ka dorëzuar dosjen e një pacienti të vitit 2015 vetëm pasi Gjykata e Apelit kishte kërkuar që të specifikoheshin veprimet e secilit veç e veç, e për të cilën tha se është një huqje tipike e Prokurorisë.

Ai tha se po ngarkohet me këtë rast për shkak se ka nënshkruar pas 72 orësh ndonëse pacienti nuk ka pasur fare të bëjë me rast emergjent.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Shamolli, Shatri tha se në vitin 2015-2016 ka punuar në ambulancën specialistike e cila ka qenë në kuadër të spitalit “IMH”.

Në lidhje me këtë, ai ka deklaruar se ka pasur kontratë pune të rregullt, si dhe që është paguar përmes llogarisë bankare, e jo “cash”.

Ndërkaq, gjykatësi Mentor Bajraktari e ka pyetur nga ka ardhur shuma prej 5 mijë e 150 euro, për të cilën, sipas tij, ngarkohet se i ka marrë nga spitali “IMH”.

Në lidhje me këtë, ai deklaroi se kjo e dhënë është marrë vetëm nga një “Excel file”, e që sipas tij nuk paraqitet as kur i ka marrë këto para, e as për cilin pacient.

“Janë 30 e kusur emra që figurojnë me shuma te ndryshme në atë listë e nuk iu është ngritë aktakuza, domethënë prokurori vetë nuk ju ka besuar atyre listave”, ka shtuar tutje Shatri.

Kurse, i akuzuari Hamza Selmani gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka sqaruar se komisioni konziliar ishte një trup nga tre mjekë, për të vlerësuar ankesat dhe kërkesat të pacientëve të ndryshëm për rimburësim, për pensione invalidore e raste të tjera.

Tutje, ai tha se në atë komision kishin dhënë vetëm mendim profesional për gjendjen e pacientit duke shtuar se kur kanë qenë raste akute (emergjente) pacientët nuk i kishin parë fare, por mendimi është dhënë vetëm në bazë të dokumentacionit, ndërsa për rastet e ftohta ndonjëherë i kishin ftuar pacientët.

Ndër të tjera i akuzuari Selmani tha se në spitalin “EDA” dhe “IMH”, kishte shkuar vetëm në dy raste për vizita familjare dhe se me asnjërin nga spitalet nuk kishte ndonjë raport, i cili tutje lidhur me pacienten B.R tha se e njëjta kishte qenë dy herë në ordinancën e tij private.

Tutje i akuzuari tha se e njëjta B.R, kishte shkuar në ordinancë të tij me dhimbje gjoksi ky pas një stres testi e njëjta kishe rezultuar pozitive për sëmundje koronare për çka i njëjti i kishte rekomanduar që të regjistrohej në listë të pritjes në QKUK pasi që nuk ishte rast urgjent.

Në lidhje me pacienten në fjalë, ai tha se e njëjta më vonë kishte deklaruar që disa familjar të saj kishin kaluar mirë në spitalin “EDA” dhe se do të shkonte atje për trajtim dhe se e njëjta asnjëherë nuk kishte shkuar në QKUK.

I njëjti lidhur me pyetjen se prokurores Shamolli se emri i tij gjendej në një listë ku ai kishte marrë 3 mijë e 140 euro, ai tha se nuk kishte çfarë të deklaronte dhe se nuk kishte asnjë lloj raporti e as marrëveshje me spitalin “IMH”.

Gjithashtu, i njëjti deklaroi se asnjëherë nuk e ka referuar ndonjë pacient se në cilin spital privat specifikisht të shkojë.

Më pas, seanca ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Hima, i cili tha se në kohën për të cilën pretendon prokuroria në aktakuzë, nuk ka punuar në asnjërën prej spitaleve private “IMH”, apo “EDA”.

Tutje duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij mbrojtës Driton Muharremi, ai tha se në bazë të Ligjit për Shëndetësi e kanë pasur obligative që pacientët të cilët nuk mund të trajtohen në QKUK, ti referojnë jashtë QKUK-së në institucione jo publike.

Kurse edhe i akuzuari Hima deklaroi se asnjëherë nuk e ka referuar ndonjë pacient se në cilin spital privat specifikisht të shkojë.
Ndërsa, i akuzuari Gashi tha se në vitin 2016 ka lidhur kontratë mbi vepër për kujdestari në spitalin “IMH”, mirëpo sipas tij, ekzistojnë transaksionet bankare për të hollat që i ka pranuar nga ky institucion.

Si dhe që asnjëherë nuk e ka referuar ndonjë pacient se në cilin spital privat specifikisht të shkojë.

Dhënia e mbrojtjes ka vazhduar tutje me të akuzuarin Pallaska, të cilin mbrojtësi i tij, avokati Ramë Dreshaj e ka pyetur në lidhje me një “fletore shkarravinë” se pse figuron aty një “Keli” dhe se nuk ka asnjë shifër.

“Me të vërtetë ekziston një shkrim në dy vende “Kel”, unë me të vërtetë te shokët njihem si “Keli” ose “Kela”.

Mirëpo, tha se nuk ka vërejtur se ky vet i atribuohet emrit “Kel” pasi që sipas tij ka shumë kolegë që janë me emrin “Kel”. “Qoftë Kelmenda, qoftë Shkelzena, qoftë Mikela, qoftë Enkela”, ka shtuar tutje Pallaska.

Kurse, i akuzuari Çitaku pas udhëzimit të mbrojtëses së tij, avokates Dafina Osmani, ka vendosur të mbrohet në heshtje, sepse sipas saj, i njëjti ka deklaruar në lidhje me pretendimet e Prokurorisë.

Ndër të tjera, ai ka deklaruar se gjatë periudhës 2011-2015 në QKUK nuk ka pasur intervenime për infarktin akut dhe referimet për jashtë Kosovës bëhen edhe sot.

Po ashtu, ai deklaroi se ka punuar në spitalin privat “IMH” prej tetorit 2010 deri në fundin e vitit 2013, duke shtuar se ka pasur kontratë mbi vepër dhe se është paguar për shërbimet që i ka kryer në atë spital, i angazhuar si internist.

Krejt në fund të seancës, për të dhënë mbrojtjen e tij është ftuar edhe i akuzuari Sahit Bibaj, i cili deklaroi se në pamundësi që të hapë klinikën e tij private ka punuar në institucione private ku ka pasur kardiokirurgji invazive, në spitalin “IMH” dhe “EDA”.

Ndërkaq, për shkak të përfundimit të orarit, dhënia e mbrojtjes së tij pritet të vazhdojë edhe në seancën e radhës, me 29 maj 2023

Po ashtu, seancat e radhës për këtë çështje janë caktuar edhe me 30 dhe 31 maj, si dhe 1 dhe 2 qershor të vitit 2023.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri.

Kurse, për të akuzuarin S.Gj. dhe R.E ka pushuar procedura penale, pasi të njëjtit kanë ndërruar jetë.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 37 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik. Mirëpo, për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.

Back to top button