Rasti tragjik në Prishtinë, reagon Haradinaj: Të krijohet urgjentisht Policia e Kryeqytetit!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se ngjarja tragjike që ndodhi mbrëmë në Prishtinë, e shtron nevojën urgjente për zbatimin e Ligjit dhe krijimin e Policisë së Kryeqytetit.
“Kur është miratuar Ligji për Kryeqytetin, njëra prej pjesëve më të rëndësishme të tij, ka qenë krijimi i Policisë së Kryeqytetit. Ngjarja tragjike e natës së mbrëmshme në një lokal në Prishtinë, me përmasa shqetësuese e pasoja të rënda, shumëfish e shtron nevojën e zbatimit të këtij Ligji dhe krijimin e Policisë së Kryeqyteti”, ka shkruar ai në Facebook.
Haradinaj ka bërë thirrje që të ndërmirren të gjitha masat për ndëshkimin e fajtorëve të këtij rasti të rëndë.
”Organet e rendit dhe ligjit të ndërmarrin të gjitha masat për ndëshkimin e fajtorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë, por si hap i parë i parandalimit të rasteve të tjera të ngjashme, që edhe mund të përsëriten, është krijimi i menjëhershëm i Policisë së Kryeqytetit”, ka thënë Haradinaj.
Si pasojë e një përleshje në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë mbetën të lënduar 17 persona derisa njëri prej tyre vdiq në QKUK./21Media
Lexim me zë
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?