Rasti “Zhan Mitrev” do të zbardhet deri në fund, “Ekspertët do të zbulojnë nëse ka pasur eksperiment”

Rasti me klinikën “Zhan Mitrev” do të ndiqet dhe do të zbardhet deri në fund. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë Beki Sali duke shtuar se askush nuk është mbi ligjin. Sipas tij gjatë tre viteve të fundit, inspektorati sanitar dhe shëndetësor ka realizuar 45 mbikëqyrje inspektuese të rregullta.
“Dua t’iu informoj se gjatë 3 viteve të fundit inspektorati sanitar dhe shëndetësor ka realizuar 45 mbikëqyrje inspektuese të rregullta dhe 52 inspektime të jashtëzakonshme, më 12 institucione shëndetësore private. Në Spitalin klinik “Zhan Mitrev” janë kryer 3 mbikëqyrje inspktuese të rregullta dhe 9 të jashtëzakonshme”- deklaroi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Sali sqaroi se hemofiltrimi është metodë që përdoret te pacientët në gjendje të rëndë, e sesa është zbatuar metoda me kriteret e përcaktuara, shtoi se ky është vlerësim që duhet ta bëjnë ekspertët e fushave përkatëse.
Por duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Sali tha se po të ishte hemofiltrimi 500 denarë askush nuk do ankohej
“Ankesa juaj nuk është mjekësore, por financiare. Ju keni Policinë Financiare për këtë. Nëse ankesa është për shumën e parave, ne këtu besojmë se shëndetësia nuk njeh financa. Po të ishte hemofiltrimi 500 denarë, nuk do të ankoheshit.”- pohoi Sali.
Pasi kjo deklaratë u bë virale nëpër media, ministri u sqarua përmes një statusi në rrjetet sociale.
“Të nderuara media dhe ju qytetarë, më lejoni të shpjegoj se shëndeti juaj nuk ka cmim dhe se pavarësisht cmimit të shërbimit shëndetësor, qoftë ai edhe 500 denarë ose edhe 5 denarë, përgjegjësi patjetër duhet të ketë. Kjo ishte ideja ime dhe ky është qëndrimi im. Gjithcka tjetër është interpretim.”- tha Sali.
Të jepet kohë për hulumtimin e rastit, storja e IRL është një ndihmë e madhe, inkurajoj të gjithë të tjerët që të ndihmojnë institucionet, tha drejtori i Agjencisë për Barna MALMED Lirim Shabani.
“Agjencia i barnave ende pa u publikuar në televizion, në momentin e parë kemi dërguar inspeksion në klinikën Zhan Mitrev, ka qenë logjike dhe me kërkesë të tyre që të kenë disa ditë deri sa të mbledhin dokumentacionin, për faktin se nga punëtorët të cilët kanë punuar në atë rast nuk punojnë më në atë klinikë. Ka qenë e logjikshme ne si agjenci t’ju japim disa ditë dhe afati ka qenë deri dje.”- pohoi Lirim Shabani, drejtor i Agjencisë së Barnave.
Se a është bërë eksperimente me pacientë mbetet të shihet. Ministri Sali tha se fjala eksperiment është e rëndë, andaj kërkoi durim që të përfundojnë hetimet. Ai tha se nuk po mbron askënd por se më parë duhet të shohim raportin dhe gjithçka të vërtetohet në bazë të inspektimeve që po kryhen./TV21

Back to top button