Kurti u propozoi veteranëve të UÇK-së hartimin e një ligji të ri për pensionet

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë pranuar sot propozimin nga kryeministri Albin Kurti, lidhur me kërkesat e tyre për përfshirje në pagën minimale.
Këtë e ka konfirmuar për rtv21.tv Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës. Ai ka bërë të ditur se propozimi i Kurtit i është përcjellur ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.
Kryeministri ka propozuar që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.
Në propozimin e Kurtit thuhet se hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit duhet të kryhet në një kohë sa më të shpejtë.
“Hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit të kryhet në një kohë sa më të shpejtë. Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, kryeministri Kurti propozon përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar”, ka bërë të ditur Kryeziu për rtv21.tv
Tutje, zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se me këtë besojnë se do të ketë një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, sipas tij, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popull, duke iu mundësuar një trajtim të dinjitetshëm të gjithë atyre që kanë kontribuar.
Kryeziu ka njoftuar se “alternativë tjetër ndaj këtij propozimi të kryeministrit Kurti, mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizim të veteranëve, i cili në momentin e miratimit nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit ka pasur edhe mbështetjen e OVL-së të UÇK-së”.
“Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, ka shtuar ai./21Media

Back to top button