”Reagim i vonuar”, Kurti tregon arsyen e pranisë së njësisë speciale në Skenderaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët me Komisioneren për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, nga gazetari i RTV21 u pyet për rastin e djeshëm në Skenderaj, në veçanti për praninë e Njësisë Speciale në këtë qytet.
Sipas tij, reagimi i Prokurorisë dhe Policisë ishte i “vonuar”.
“Në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë asnjë individ e as grup që sfidon me sukses shtetin. Ligji i Republikës na barazon para tij dhe jo si dikur që na ndante. Në lokalin e Skenderajt, në të cilin është rrahur dhe përgjakur zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Hysni Mehani, kryetari i VV-së atje dhe kandidat për deputet, ka kamera dhe shumë dëshmitarë. Siç mora vesh, dy persona janë arrestuar. Për mendimin tim, reagimi i Policisë dhe Prokurorisë ka qenë i vonuar. Nuk e di çfarë ka ndodhur pas orëve të mesnatës, por reagimi ka qenë i vonshëm. Aktivistët e VV-së për postimet në Facebook janë dënuar me dy vite burg; të shohim tani çfarë vendimi do të marrë Prokuroria”, tha Kurti./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?