Reagon, Gola: Kali në fakt është qenie shumë fisnike, ORCA ka huqje të mëdha metodologjike

(Lajm i përditësuar)
14:24- Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, duke komentuar veprimin e organizatës, tha se ORCA ka huqje të mëdha metodologjike. Derisa tha se qasja e saj është kërcënuese dhe ka një diskurs kriminalizues sidomos për Universitetin e Prishtinës.
“Kali në fakt është qenie shumë fisnike dhe çfarëdo përpjekje për t’i përdorur shtazët për të bërë sulme politike, tregojnë më shumë për karakterin dhe formimimin e personalitetin e aktivisteve, sesa flasin për diçka tjetër. Pra, çdo kafshë është qenie fisnike por sidomos kali. ORCA ka huqje aq të mëdha metodologjike, aq e kanë kritiken të personalizuar dhe aspak sistematike saqë më vjen keq që është organizata e vetme që sot ka zë për arsimin në Kosovë. Fatkeqësisht qasja e saj është kërcënuese dhe ka një diskurs kriminalizues sidomos për Universitetin e Prishtinës, është shumë gabim”, tha Gola.
Gjatë ditës së sotme, komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka miratuar projektligjin për Agjencinë e Akredetimit.
Kryetari i këtij komisioni, Ardian Gola tha se ju është imponuar të tregojmë një lloj koherence dhe konsistence me statusin që i kanë dhënë kësaj Agjencie.
“Na është imponuar të tregojmë një lloj koherence dhe konsistence me statusin që i kemi dhënë kësaj Agjencie si rregullator e që është më shumë e bërë për shkak të nevojës me imonizu institucionalisht këtë Agjenci prej interferimeve çfarëdo qofshin ato. Çështja e kritereve dhe standardeve, vazhdoj të besojë që qeveria do duhej të kishte përmes ligjit fjalën e fundit, për shkak se mendoj se Agjencia për Akreditimin e Kosovës ka një histori shumë të trisht me përvoja të shumta që dëshmojnë se ka pas vendimmarrje arbitrare…Shkarkimi që është bërë i paligjshëm nga ish-kryeministri Haradinaj nuk ka pas të bëjë më interferimin politik në hartimin e standardeve, edhe ashtu qeveria ka pas të drejtën të hartojë standarde. Mendoj se është krijuar një kauzë publike që në masë të madhe ka shkarje me arsyejet e vërteta të shkarkimit të atëhershëm nga ish-kryeministri Haradinaj, dhe kjo është përdorur më shumë si pretekst për të ndërtuar një kauzë që me tërheq Agjencinë jashtë ndikimit qeveritar që mendoj se është shumë normale. Me ligj do të ishte opsioni shumë më i mirë t’i fiksoj kriteret bazë kuantitative”, tha Gola.
Sipas tij, ka ngecje vlerësimi i përshtatshmërisë profesionale për fushën.
“Kjo që i është lënë me udhëzim administrativ ministrisë është përcaktimi i mënyrës se si duhej të vlerësohej përshtatshmëria bartëse të programit në fushën e programit për të cilën duhet të akreditohet. Aktualisht edhe KShC nuk e ka një metodë krejtësisht të qartë si duhet të vlerësohet. Mendoj se padrejtë disa programe madje janë edhe penalizuar duke i diskualifikuar X profesionistët dhe X profesorë për shkak se nuk e paska përshtatshmërinë dhe kualifikimin e duhur për një program, ndërkohë nëse lexohet CV shihet qartë se në fakt i plotëson kushtet, por çështja është tek mungesa e një procedure, që në mënyrë të qartë i detajon mënyrat se si duhet të vlerësohet përshtatshmëria profesionale për fushën”, tha Gola mes tjerash.
10:56-ORCA vendos Kalin e Trojës në shesh bashkë me fotografinë e Ardian Golës
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka zhvilluar një aksion për të kundërshtuar ndryshimet e propozuara lidhur me projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akrediti.
“ORCA e kundërshton këtë lloj abuzimi me fuqinë dhe mospërfillje të gjithë punës së deritashme për draftin origjinal të projektligjit nga ana e kryetarit të Komisionit për Arsim. ORCA dyshon se kjo nuk do të mund të bëhej e mundur pa bashkëpunimin e Ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, cila si sponzorizuese e ligjit ka të drejtë të mos lejojë deviacione të tilla që e deformojnë kualitetin e ligjit e si rrjedhojë cilësinë në arsimin e lartë. ORCA kërkon që drafti që vendoset për votim para deputetëve të jetë ai për të cilin ka pasë konsensus shoqëror, të ekspertëve dhe zyrtarëve evropianë që është krijuar në procesin e deritashëm të hartimit të draftit origjinal.”, thuhet në reagim.
Me propozimin e dhënë është hequr limiti kohor në përdorimin e publikimeve shkencore nga bartësit e programeve gjatë procesit të akreditimit.
“Tendencat e vazhdueshme të deputetit Ardian Gola mbeten të paqarta për ORCA-n, por të dyshimta gjithsesi. Në fillim i njëjti pat lobuar aktivisht për dobësimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë që shërben si bord i agjencisë, duke provuar që kompetencat për akreditim t’ia delegojë komisionit të ankesave, çka u kundërshtua në një takim publik me Komisionin nga vetë Presidenti i EQAR-it, institucion ky prej të cilit Kosova ishte përjashtuar për shkak të ndërhyrjeve politike. Pasi dështoi kjo tentativë që ORCA e sheh si fitimprurëse për sektorin privat të arsimit të lartë, deputeti Gola ka bërë ndërhyrje në draftin origjinal të projektligjit duke ndryshuar nenet që lidhen me akreditimin krahas nivelit të studimeve, gradës shkencore dhe publikimeve shkencore që duhet t’i kenë bartësit e programeve në proces të akreditimit.”, thuhet në reagimin e ORCA.
Qëllimi i Golës sipas organizatës ka qenë që t’ia marrë Agjencisë rolin kryesor që e ka në përcaktimin e kritereve të akreditimit.
“Së fundmi deputeti Gola ka ardhur me propozimin që standardet e akreditimit të përcaktohen përmes udhëzimeve administrative nga ministria. Ndërkaq, para kësaj tentative Gola kishte një përpjekje tjetër destruktive krahas ligjit duke provuar t’i betonizojë standardet e akreditimit. Të gjitha këto ndërhyrje janë bërë me qëllim që t’ia marr Agjencisë rolin kryesor që ka e që është përcaktimi i kritereve të akreditimit të cilat përcaktohen ekskluzivisht nga manualet e akreditimit që i nxjerrë Agjencia e Akreditimit, që burojnë nga standardet evropiane të përcaktuara nga ENQA dhe EQAR (standardet ESG). Përcaktimi i tyre në ligj e bën të pamundshëm avancimin e tyre në të ardhmen, apo përcaktimi i tyre nga Ministria ia merr funksionin kryesor të Agjencisë çka është detyrim për Agjencinë kur të bëhet anëtare me të drejta të plota në ENQA dhe EQAR. Rrjedhimisht, tentativa për fiksim të standardeve apo përcaktim të tyre nga politika është edhe pengim i avancimit të Agjencisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në ENQA dhe EQAR si dhe përpjekjeve për cilësi në Arsimin e Lartë në Kosovë.”
ORCA rikujton se institucionet publike në përgjithësi, e deputetët në veçanti duhet të afirmojnë dhe mbrojnë interesin publik e jo interesat e grupeve që u përkasin apo bizneseve që mund të kenë lidhje me ta./21Media