Reagon Grenell: Taksa duhet të hiqet plotësisht, Kurti po bën gabim serioz

Grenell thotë se nuk e mbështet qëndrimin e Kurtit për taksën

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pas paralajmërimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se do ta heqë pjesërisht taksën që nga 15 marsi. Grenell përmes një shkrimi në Twitter u shpreh se Kurti po bën gabim serioz.

“Ne nuk e mbështesim masën gjysmake të kryeministrit Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të bien plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo iu bë e qartë Presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë sot”, ka shkruar Grenell.

I pari i Qeverisë, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se gjatë javës së ardhshme do të marrin vendim që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars.

Kurti ka ftuar Serbinë se si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpres fushatën për ç’njohje të Pavarësisë së Kosovës dhe poashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare ndaj Kosovës./21Media

Back to top button