Hovenier: Një apo disa struktura qëndrojnë pas sulmit në veri

(Lajm i përditësuar)
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha të shtunën se një apo disa struktura qëndrojnë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës javën e kaluar në veri të vendit, gjatë të cilit u vra një zyrtar policor.
I pyetur nga BBC të shtunën nëse Serbia qëndron pas sulmit, Hovenier tha se sasia dhe cilësia e armëve të gjetura në Banjskë të Zveçanit tregojnë se “sulmuesit serbë etnikë nuk i siguruan ato vetë”.
“Tani, po ashtu, ne e dimë se një individ i cili ishte nënkryetar i njërës nga partitë serbe në Kosovë, për të cilin dihet se ka marrë pjesë në ngjarje me zyrtarë të lartë serbë, njoftoi përmes avokatit të vet se ai ishte organizator i kësaj ngjarjeje dhe se ai ishte i pranishëm”, tha Hovenier duke iu referuar Millan Radoiçiqit, nënkryetarit të deritanishëm të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Më 2 shkurt të këtij viti, Radoiçiqi mori pjesë në një seancë të jashtëzakonshme në Parlamentin e Serbisë. I ftuar aty ishte edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Të premten, Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, dhe dha dorëheqje nga posti i tij në parti.
“Pra, ne ende po punojmë për ta gjetur se kush ishte saktësisht përgjegjës. Por, tani dimë më shumë rreth kësaj dhe jemi të shqetësuar për atë që ndodhi”, shtoi Hovenier.
Policia e Kosovës u sulmua me 24 shtator në një pritë nga një grup i armatosur derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rruge pranë një ure në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë. Tre sulmues të dyshuar janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Prishtinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 shtator, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Radoiçiqi është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar./rel
Reagon Hovenier pas bisedës së Kurtit me Sullivanin
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas bisedës që zhvilloi këshilltari për Çështje të Sigurisë Kombëtare i presidentit amerikan Joe Biden, Jake Sullivan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Hovenieri, thotë se ShBA-ja është e shqetësuar me dërgimin e trupave nga ana e Serbisë në kufirin me Kosovën.
“Telefonatë e rëndësishme ndërmjet këshilltarit për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan dhe kryeminisrit Albin Kurti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për moblizimin e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën”, shkroi Hovenier.
“Ne bëjmë thirrje për për de-përshkallëzim të menjëhershëm dhe konsiderojmë zbatimin e plotë nga të dyja palët marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja si mjet për të garantuar stabilitetin”, tha ai./21Media
Important call between NSA @JakeSullivan46 and Prime Minister Kurti. The United States is concerned about Serbian military mobilizations near the Kosovo border. We are urging immediate de-escalation, and we consider the full implementation by both sides of the agreements reached… https://t.co/oJeLNQHwHD
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) September 30, 2023