Reagon përsëri Bekim Jashari

Për rezultatin e zgjedhjeve të 17 tetorit ka reaguar përsëri, kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari.
Jashari përsëri ka aluduar në manipulim të votave dhe ka thënë se do t’i shkojë deri në fund rrugëve ligjore, teksa ka njoftuar se ka bërë 10 ankesa.

“Të dashur qytetarë, duke besuar fuqishëm në drejtësinë tonë kemi bërë mbi 10 ankesa në lidhje me manipulimin e procesit zgjedhor dhe presim që të zbardhet e vërteta edhe nëse duhet të hapet e të verifikohet çdo kuti e votimit. As këto zgjedhje, as manipulimet e shumta dhe as asgjë tjetër nuk mund të ndalë angazhimin tonë të përbashkët për qytetarët dhe vendin tonë të shenjtë.Fitues të vërtetë të këtyre zgjedhjeve jemi vetëm Ne qytetarë të dashur, numrat e vjedhur e manipuluar nuk mund t’i mbulojnë veprat dhe sjelljet e tyre antiligjore dhe anti morale”, ka shkruar Jasharu në Facebook.
Tutje ai ka shtuar se të turpëruar duhet të ndihen vetëm ata që nuk “lanë gurë pa lëvizur e metodë antiligjore pa përdorur për të marrë peng votën e qytetarëve, ata që ju bënë presion votuesve, ata që iu shkuan në shtëpi një ditë para votimit, ata që i ndalën votuesit para qendrave të votimit duke i shantazhuar e mashtruar, ata që vodhën vullnetin e lirë të qytetarëve e ata që festuan si festuan për një “fitore” që as vet nuk e kishin pritur”.
Ndër tjera Jashari ka shtuar se ka realizuar qindra projekte gjatë katër viteve të kaluara kur ishte kryetar./21Media
Back to top button