Reagon Ramosaj: Raporti i “Europa Nostra” për Manastrin e Deçanit i pabazë

Për konstatimin e organizatës “Europa Nostra“ e Manastiri i Deçanit është një nga 7 monumente të rrezikuara , ka reaguar sot edhe kyretari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj.
Ramosaj ka thënë se raporti është i pabazuar dhe nuk përket me realitetin e përditshëm, i cili ndodhet në komunën e Deçanit.
“Vlerësojmë se raporti i publikuar më datë 13.07.2022, nga ‘EuropaNostra’ është i pabazuar dhe nuk përket me realitetin e përditshëm i cili ndodh në komunën e Deçanit. E themi me bindje që ‘EuropaNostra’ nuk i është referuar në asnjë moment raporteve zyrtare të nxjerra nga mekanizmat relevante të sigurisë, përfshirë KFOR-in si përgjegjës i drejtpërdrejtë në këtë zonë, i cili i është prezantuar delegacionit të ‘EuropaNostra’ gjatë takimit në komunën e Deçanit!,” thuhet në reagimin e Ramosajt.
Ai ka shprehur indinjatën kundrejt pretendimit të organizatës që Manastiri i Deçanit të shpallet ndër 7 objektet më të rrezikuara, pa i vlerësuar faktet konkrete të cilat kanë relevancë për çështjen në fjalë, dhe të cilat u janë ofruar delegacionit tuaj gjatë takimit në komunën e Deçanit.
“E themi me përgjegjësinë më të lartë që objektivat dhe qëllimet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të komunës së Deçanit janë paqësore, objektiva të zhvillimit ekonomik dhe bashkëjetesës së harmonizuar, duke respektuar, mbrojtur e njohur vlerat e kujtdo qofshin në këtë shtet e në veçanti të Manastirit në fjalë”, tha ai.
Organizata “Europa Nostra” kishte theksuar se Manastiri i Deçanit është një nga 7 monumente të rrezikuara. Po ashtu thuhej se Manastiri rrezikohet nga elementët ekstremistë që lidhet me radikalizmin fetarë që përmendet organizata ISIS.
Lidhur me këtë patën reaguar edhe Ministrat Liburn Aliu e Hajrulla Çeku. Ata në një takim që kishin pasur me përfaqësuesit e kësaj organizate kishin kërkuar që “Europa Nostra” t’i kërkojë falje Kosovës për konstatimin e bërë./21Media

Back to top button