Reformatorët e VMRO-së nën trysni

Milloshoski: Iniciativa është nga “komunjarët”

Nga shtabi qendror i VMRO-DPMNE-së bëjnë thirrje që të mos përkrahet nisma e një grupi të anëtarësisë së kësaj partie që bën thirrje për reforma dhe largim të kryesisë aktuale. Anëtari i Komitetit  ekzekutiv të VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski kërkoi që anëtarësia e tyre të mos e përkrahë këtë grup që siç tha është formuar nga të ashtuquajturit “komunjarët”.

Edhe Hristo Delev nga kjo parti tha se bëhet fjalë për një grup i vogël, që nuk kanë fuqi që të jenë struktura paralele të VMRO-DPMNE-së.

“Ata që e nxisin këtë ide nuk janë në asnjë lloj funksioni në VMRO-DPMNE. Ata janë një grup i vogël nga disa persona, të cilët me vetiniciativë e kanë ngritur këtë nismë e cila nuk ka asnjë lloj mbështetje nga anëtarësia dhe nga strukturat partiake. Ata janë persona që nuk janë në funksion dhe nuk kanë pasur ndonjë rol më të lartë në VMRO-DPMNE”, tha Delev. 

Të kontaktuar disa nga anëtarët që morën iniciativën për reforma në VMRO-DPMNE, nuk ishin të gatshëm të flasin para kamerës tonë, për shkak të presionit që u bëjnë, siç thonë, nga bashkë-partiakët e deritanishëm. Aleksandar Stojçevski në një postim në rrjetet sociale thotë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, përkundër këtyre presioneve.

“Pikërisht reagime të tilla tregojnë kapacitetin e madh (jo)demokratik të VMRO-DPMNE-së. Kjo parti nuk do të jetë ndërmarrje private e një personi, parti e sulltanit dhe shërbëtorëve. VMRO-DPMNE do të jetë parti moderne dhe demokratike. Parti e individëve të fortë, ku secili anëtarë do të respektohet dhe do të ketë mundësi të njëjtë”, tha Stojçevski.

Nga kjo iniciativë e anëtarëve të VMRO-DPMNE-së apelojnë deri tek personat që ushtrojnë trysni ndaj anëtarësisë, të pushojnë së ushtruari trysni për arsye se shumë shpejt do të turpërohen nga veprimet e tyre. Kjo iniciativë doli javën e kaluar kur u kërkua reforma në parti dhe largim të kryesisë aktuale.

Back to top button