Refuzohen 4 ankesat e aplikantëve në rastin kundër Thaçit

Gjykata e Apelit ka refuzuar katër nga pesë bazat e ankesës ndaj vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, me të cilin ai refuzoi kërkesat e disa individëve për të marrë pjesë si viktima në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Sot, Gjykata e Apelit hodhi poshtë 4 nga 5 arsyet e apelit të parashtruar më 7 qershor 2021 nga përfaqësuesi i viktimave, në emër të gjashtë individëve, kërkesat e të cilëve për të marrë pjesë si viktima në procedurën kundër Thaçit dhe të tjerëve ishin hedhur poshtë. Paneli e shtyu vendimin e tij lidhur me arsyen e pestë të apelit dhe ia ktheu atë prapa gjykatësit të procedurës paraprake për shqyrtim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
Ndryshe, përmes një shkrese, përfaqësuesi i gjashtë aplikantëve, të cilëve u është refuzuar statusi i viktimave, kishte paraqitur ankesë ndaj vendimit të gjyqtarit paraprak, që të njëjtëve mos të u jepet ky status.
Në këtë shkresë thuhej se sa i përket Viktimës-06/06, kërkesa e së cilës bie jashtë juridiksionit të përkohshëm të Dhomave të Specializuara, kanë pranuar vendimin e gjyqtarit paraprak dhe apelimi nuk vlen ndaj të njëjtit.
Kurse thuhej se gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar në përcaktimin e fushës përkatëse kohore, gjeografike dhe materiale të aktakuzës.
Tutje, pretendohej se gjyqtari i procedurës paraprake gaboi kur arriti në përfundimin se incidentet që shkaktuan vuajtje të viktimave dhe që formojnë pjesë të elementit kontekstual të krimeve kundër njerëzimit nuk do të ishin pjesë e krimit të pretenduar në aktakuzë.
Sipas ankesës, gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar në ligj sa i përket lidhjes së kërkuar midis viktimave pjesëmarrëse dhe krimeve të pretenduara në aktakuzë.
Në ankesë pretendohej se gjyqtari Guillou ka gabuar kur nuk ka njohur natyrën specifike të krimit të zhdukjes me forcë, si dhe se ka gabuar në vlerësimin individual të aplikimeve të viktimave
Në fund të kësaj shkresë thuhej se siç demonstrohet, vendimi i parë për pjesëmarrjen e viktimave është i gabuar në ligj dhe në fakt.
“Dhoma e Apelit duhet të shfrytëzojë mundësinë për të siguruar një interpretim dhe sqarim të Ligjit dhe Rregullave që do të mundësojnë pjesëmarrjen e viktimave në KSC. Prandaj kërkohet me respekt që a. Dhoma e Apelit anulon vendimin e kundërshtuar dhe b. pranoni aplikantët e refuzuar si viktima pjesëmarrëse në çështje”, thuhet në këtë shkresë.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë./Betimi për Drejtësi

Back to top button