Dështoi votimi për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Po vazhdon seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ndërsa në mungesë të kuorumit për vendimmarrje meqë kërkohen 2/3 e votave ka dështuar votimi i Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.
Të pranishëm ishin 93 deputetë, vetëm 71 ishin pro, ndërsa kundër dhe abstenim nuk kishte.
Kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci tha se për shkak që kërkohet 2/3 e deputetëve të Kuvendit kjo pikë shtyhet deri në plotësimin e kushteve për votim.
Bogujevci edhe për tri projektligje të tjera për ratifikim propozoi që mos të shqyrtohen pa prezencën ministrave përkatës dhe derisa të krijohen kushtet për votim.
”Tani nuk i kemi pjesën e ministrave për prezantimin e këtyre pikave, por siç po duket nuk ka edhe kuorum për vendimmarrje, unë kisha propozu që këto tri pikat e radhës që do t’i lexoj tani, t’i shtyjmë për më vonë kur krijohen kushtet për prezantim por edhe për votim”, tha Bogujevci.

  1. Projektligjit për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II),
  2. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”,
  3. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.
Back to top button