Rektorët numërojnë sfidat që kanë universitetet shqiptare

49-vjetori i themelimit të UP-së

Përvjetori i 49-të i themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i ka bërë bashkë gjithë rektorët e universiteteve publike shqiptare. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema duke folur për themelimin e universitetit, ka thënë se momenti i themelimit të tij ka qenë historik, pasi ka ndryshuar kulturën e arsimit në një kohë shumë të vështirë.

Sipas tij, Universiteti i Prishtinës e ka dhënë provimin, duke kaluar shumë sfida përfshirë dhe ato politike. “Universiteti i Prishtinës, asnjëherë nuk ka qenë më mirë se deri tash”, ka thënë Dema.

Rektori Dema ka kërkuar mbështetje nga institucionet në mënyrë që të ketë rritje të cilësisë. Gjithashtu, ka thënë se duhet të largohen ndikimet politike.

“Ne kërkojmë që të kemi mbështetjen në mënyrë që ngrisim cilësinë e mësimdhënies, hulumtimeve shkencore dhe shumë fushave të tjera, këto arrihen nëse kemi autonomi më të madhe”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi ka thënë universitetet janë në krizë tash e një periudhë të gjatë. Kjo krizë sipas tij është si rrjedhojë e shumë faktorëve. “Këto 20 vitet e fundit autonomia e universiteteve publike është duke u dëmtuar seriozisht, qofotë nga ndërhyrjet politike, ashtu dhe nga grupet e biznesit”, ka thënë Kosumi.

Në lidhje me kolegjet private, rektori Kosumi ka thënë se ato janë shndërruar në biznese.

Rektori  i universitetit të Korçës, Ali Jashari ka thënë se kjo konferencë nuk duhet të mbetet me kaq dhe duhet të mblidhen sa më shpesh në mënyrë që të paraqen të gjitha problemet.

Kurse, rektori i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, Arben Gjata u fokusua më shumë tek bashkëpunimi më i madh në mënyrë që të ketë ngritje të cilësisë. Ai gjithashtu ka kërkuar që të ketë standarde të njëjta si për universitetet publike, ashtu dhe për ato private.

Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon. Viteve të fundit, UP-ja renditet ndër universitetet më të mira të rajonit.

Back to top button