“Klinika ku është kryer aborti i së miturës nga Drenasi ka qenë e palicencuar”

Ismaili tha se hetimet për këtë rast i ka filluar edhe Oda e Mjekëve

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka raportuar para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me Licencimin e institucioneve private shëndetësore. Ministri tha se klinika e dr. Fehmi Ahmeti ku është kryer aborti i vajzës nga Drenasi që dyshohet se u abuzua seksualisht, ka qenë e palicencuar.

“Në korrik 2018 i ka skaduar licenca e punës klinikës së dr. Fehmi Ahmeti. Kushtet e punës për abort nuk kanë qenë të duhura. Me 15 janar të këtij viti është kryer aborti, në kohën kur nuk ka pasur licencë dhe ka rrezikuar edje shëndetin e pacientes dje ka bërë shkelje të legjislacionit në fuqi”, tha ai duke shtuar se barra për këtë rëndon mbi klinikat që nuk kërkojnë rilicencim.

Ismaili shtoi se hetimet për këtë rast, përveç Prokurorisë i kanë filluar edhe Oda e Mjekëve dhe i ka njoftuar të gjitha institucionet.

“Përveç mungesës së licencimit, ka pasur edhe shelje ligjore dhe etike pasi edhe nuk është regjistruar pacientja që ka kryer abortin”, theksoi ai.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Besa Baftiu (PSD), tha se ministri është thirrur të raportojë vetëm për një temë për shkak të urgjencës pas rastit të abuzimit të së miturës nga Drenasi.

“Përgjegjësia e ministrisë është moslicencimi i klinikës private ku është kryer aborti. Siç dihet, abortet do të duhej të kryheshin në institucioneve publike sipas ligjit.  Nuk po them qe barra bie vetëm në këtë mandat për këtë çështje, asnjë nga ministrat nuk ka bërë shumë në këtë drejtim”, tha ajo.

Ismaili, tha se rasti i të miturës nuk ka qenë rast i izoluar, ka prek edhe hallka të rëndësishme të shoqërisë.

“Përveç dhimbjes në këtë rast kemi edhe përgjegjësi instiucionale që këto raste të mos përsëriten. Kjo temë kërkon një diskutim më të detajizuar dhe jo vetëm të politikbëries për shkak të që është temë e ndjeshme”, tha ai.

Ministri tha se Sektori privat në Kosovë ka 1606 institucione të licencuara private dhe prej tyre, 28 janë institucione spitalore.

“I tërë procesi i licencimit ka një varg procedurash. Ka komisione vleresuese dhe shihen nëse janë brenda kushteve për udhëzime. Licencat jepen për një afat 5 vjeçar. Rilicencimi bie mbi atë qe e ka kërkuar licencën dhe jo mbi ministrinë”, shtoi Ismaili.

Kurse anëtari i Komisionit, Haxhi Avdyli (LDK), tha se duhet të paralajmërohen klinikat per rilicencim.

“Shpeshëherë ata mund të harrojnë prandaj ministria duhet paraprakisht ti njoftojë institucionet që të rilicencohen”, theksoi ai, duke kërkuar nga ministri Ismaili që të mos merret me LDK-në.

Ditë më parë, deputetë të LDK-së dhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili (PDK), ishin përfshirë në polemika për gjendjen në shëndetësi.

LDK e kishte quajtur Ismailin “ministër të Facebook-ut”, ndërsa ky i fundit LDK-në e kishe fajësuar për shkatërrim të sistemit shëndetësor në vend, në kohën kur e kanë udhëhequr këtë ministri./kallxo.com

Back to top button