Remi në Speciale: ​Jakup Krasniqi është prej figurave më të respektuara në Kosovë

(Lajm i përditësuar)


Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka deklaruar se Jakup Krasniqin e njihte vetëm si zëdhënës të UÇK-së.

Ish-komandant Remi ka theksuar se Krasniqi është një prej figurave më të respektuara në Kosovë, derisa është përgjigjur në pyetjet e avokates Venkateswari Alagendra.

Mustafa: Zotëri Krasniqi njihet si intelektual i Lëvizjes Shqiptare në Kosovë, ka qenë mësues, ka qenë edhe aktivist politik.

Alegendra: Si politikan u bë edhe kryetar i Parlamentit?

Mustafa: Po, ishte kryetar i Parlamentit të Kosovës

Alegendra: Është e drejtë të themi se zotëri Krasniqi është një person i respektuar në Kosovë?

Mustafa: Është një prej figurave më të respektuara në Republikën e Kosovës.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit e ka pyetur Rrustem Mustafën se a e njihte Jakup Krasniqin si zëvendës-komandat të UÇK-së, ndërsa ai është përgjigjur se e ka njohur atë vetëm si zëdhënës të UÇK-së.

Mustafa: Jakup Krasniqin e kam njohur si zëdhënës të UÇK-së

“Jakup Krasniqi ishte aktivist i madh politik dhe ai po krijonte dhe po përhapte besim tek gjenerata ime dhe shumë të tjerë, dhe Jakup Krasniqi ka qenë me këmbëngulje për t’u bërë Kosova e lirë… Unë Jakup Krasniqin e kam njohur si zëdhënës të UÇK. Unë kam parë dokumente dhe sidomos është dëgjuar fjala prej që është formuar Gjykata Speciale se Jakup Krasniqi paska qenë zëvendës i UÇK-së, mund të ndodh që ka qenë por unë nuk e kam njohur ashtu realisht“, tha ai.

Më pas avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka vazhduar me disa pyetje për mbledhjen e 12 nëntorit 1998, dhe një dokument për këtë takim.

Alegendra: E shihni që në këtë dokument flitet për Jakup Krasniqin si zëvendës-komandanti për mbështetje?

Mustafa: Po e shoh.

Alegendra: A përputhet kjo me informacionin që keni marr ju pas luftës sa i takon roli tjetër që mendohej se ka pas Krasniqi?

Mustafa: Po.

Alegendra: Po ashtu thuhet në fund të faqes se grupi politik për bisedimet është krijuar dhe përmenden emrat Jakup Krasniqi, Sokol Bashota dhe Ramë Buja, kështu e keni ditur edhe ju?

Mustafa: Nuk e kam ditur në atë kohë nuk besoj që e kam ditur ka emra që nuk e kam ditur që janë vendosur në këto pozicione për Jakup Krasniqin e kam ditur gjithë.

Ai gjithashtu ka thënë se gjatë kohës së bombardimeve të NATO-së, Jakup Krasniqi ndodhej në Tiranë.

Alegendra: Gjatë mesit të marsit 99’tës, më konkretisht më 19 mars 1999 Krasniqi shkoi në Tiranë dhe nuk ishte në Kosovë?

Mustafa: Po këtë e dimë gjatë kohës së bombardimeve ishte në Tiranë.

Alegendra: Dhe sipas kësaj deklarate të bërë më 4 qershor 1999 Krasniqi aso kohe ishte ende në Tiranë a është e saktë?

Mustafa: Po.

Alegendra: Në verën e vitit 1999 do të pajtohemi me mua apo jo se Krasniqi u emërua si ministër për rindërtim dhe zhvillim a është kjo e saktë?

Mustafa: Po.

Alegendra: Dhe këtë emërim nuk e bëri UÇK, por e bëri Lëvizja e Unionit Demokratike LVD a është kjo e saktë?

Mustafa: Nuk e di kush, por unë e di se ka qenë ministër në atë kohë zotëri Krasniqi… Krasniqi ka qenë ministri më i suksesshëm në Qeverinë e Kosovës, detajet tjera nuk i di tash.

Tutje, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se të gjithë udhëheqësit politikë të LDK-së kanë qenë logjistikë e UÇK-së, dhe se pas luftës i janë bashkuar kësaj partie.

Mustafa: Gjithë udhëheqësit politik të LDK-së në Podujevë, Prishtinë dhe Fushë-Kosovë kanë qenë logjistikë e UÇK-së.

Alegendra: Edhe pas luftës anëtarë të UÇK-së iu bashkëngjiten LDK-së apo jo zotëri Mustafa?

Mustafa: Pas luftës secili është kthyer aty ku ka besuar.

Pas përfundimit të pyetjeve të mbrojtjes së Jakup Krasniqi, me pyetje sqaruese ka vazhduar Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit ka thënë se asnjëherë Krasniqin nuk e ka njohur dhe nuk ka komunikuar me të si zëvendës-komandant i UÇK-së.

Mustafa: Krasniqin nuk e kam njohur si zëvendës-komandant

“Unë asnjëherë Jakup Krasniqin si zëvendës nuk e kam njohur dhe nuk kam komunikuar me të si zëvendës-komandant”, ka thënë ai.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Remi theksoi se shumica e anëtarëve të UÇK qëndronin jashtë vendit përfshirë Adem Grabovcin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Xhavit Halitin e Azem Sylën.


Mustafa: Shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së qëndruan jashtë vendit

Dëshmitari Rrustem Mustafa- Remi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, të hënën tha se anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, përveç Ramë Bujës dhe Jakup Krasniqit, kanë qëndruar jashtë Kosovës gjatë luftës, në periudhën tetor 1998 deri në mars 1999.

“Të gjithë qëndronin jashtë vendi, me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujës dhe komandantët e zonave, të gjithë të tjerët qëndronin jashtë vendit”, tha Remi.

Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të Veselit, avokatit Ben Emmerson, i cili e pyeti se a është në dijeni se disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, përveç Azem Sylës, qëndronin jashtë vendit për pjesën më të madhe të periudhës së luftës, nga nëntori ‘98 deri në mars ‘99, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përgjigjen e lartpërmendur, Mustafa e kishte dhënë në sesion privat gjatë disa pyetjeve të avokatit Emmeson, por më pas në seancë publike u lexua dhe u konfirmua nga dëshmitari.

Paraprakisht, dëshmitari Mustafa ka thënë se para kohës së Ramubujesë nuk e kishte ditur se Azem Syla ka qenë komandat i përgjithshëm i UÇK-së, duke vazhduar të thotë se tani e di se kështu ka qenë, por se personalisht kishte menduar se ai merrej me logjistikë, pasi që bazën e ka pasur në Tiranë.

Tutje, pohoi se si komandant i zonës operative të Llapit nuk e kishte ditur se kush e ka marrë rolin e komandantit nga Shtabi i Përgjithshëm.
Andaj, tha se duke qenë se Bislim Zyrapi ka qenë në rolin e shefit të Shtabit të UÇK-së dhe se ka qenë person me përvojë ushtarake, ka qenë i mendimit se Zyrapi mund të kishte qenë komandant.

Mustafa u përgjigj me “po” në disa çështje që Emmerson e pyeti se pas marrëveshjes së Rambujesë ishte formuar Qeveria e përkohshme e Kosovës, se Azem Syla ishte bërë ministër i Mbrojtjes dhe se Bislim Zyrapi ishte bërë shef i kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në vazhdim, mbrojtja e Rexhep Selimit, ndonëse kishin planifikuar 5 orë pyetje për ish-komandant Remin, në këtë seancë kanë informuar gjykatën dhe të tjerët se nuk kanë pyetje për të bërë.

Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të Mustafës nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.


Remi vazhdon dëshminë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, po vazhdon dëshminë e tij, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit.

Dëshmitari Mustafa në seancën e së hënës ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës Ben Emmerson, i cili ka filluar ta marrë në pyetje këtë dëshmitar në sesion e pasdites të së premtes.

Mustafa ka filluar dëshminë e tij në seancën e së martës dhe ka vazhduar në seancat e së mërkurës, të enjtes dhe të premtes.

Ndryshe, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button