Reshjet e shiut vështirësojnë qarkullimin, rrëshqitje të dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”

Si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës ditëve të fundit janë shkaktuar vërshime çka kanë çuar edhe në bllokime të rrugëve.

Në rrugën Prishtinë – Ferizaj ka grumbullim të ujit dhe është ndaluar përkohësisht qarkullimi. Sipas Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, grumbullimi i ujit ka ndodhur si pasojë e kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike.

“Ekipet tona janë në terren duke punuar në shkarkimin e ujit dhe rruga pritet të hapet për qarkullim brenda ditës”, thuhet në njoftimin e MMPHI.

Ministria ka njoftuar se po ashtu te nënkalimi në Mazgit, në drejtim të autostradës, ka grumbullim të ujit si pasojë e bllokimit të kanalit atmosferik, ku gjithashtu po punohet në zhbllokimin e rrugës.

Ka treguar edhe për gjendjen në rrugë të tjera.

“Po ashtu, në autostradën “Ibrahim Rugova” ka rrëshqitje të dheut. Në këto momente po punohet për sanim sa më të shpejtë, në mënyrë që qarkullimi të zhvillohet normalisht. Në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë – Gjurgjicë, gjithashtu ka grumbullim të ujit në rrugë. Ekipet tona janë duke ndërhyrë në sanimin emergjent dhe shumë shpejt pritet rikthimi i qarkullimit normal. Në rrugën Zhur–Dragash kemi lëvizje të trupit të rrugës. Është vendosur sinjalizimi përkatës dhe aktualisht qarkullimi zhvillohet në një shirit”, ka njoftuar ajo.

Në Suharekë është bërë thirrje për kujdes në disa rrugë që janë vërshuar. Kryetari i kësaj komuna, Bali Muharremaj, ka treguar se cilat rrugë janë bllokuar nga reshjet e shiut.

Kurse Komuna e Gjilanit ka lëshuar thirrje për kujdes për qytetarët për shkak të reshjeve që po krijojnë sërish vështirësi në qarkullim.

Në thirrjen e Komunës qytetarëve u kërkohet që përkohësisht të shmangin qarkullimin në rrugën për Kufcë në Malishevë, në rrugën ndërmjet dy Livoqëve, si dhe në magjistralen Gjilan–Ferizaj, në zonën e udhëkryqit të rrugës së Cërnicës.

Back to top button