Reshjet në Shqipëri mundësojnë shkëmbim të energjisë me Kosovën

Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje për shkëmbim të energjisë

Shqipëria mund t’i ofrojë energji Kosovës, kjo për shkak të reshjeve të fundit që mund të çojë në tejmbushjen e liqeneve të Komanit dhe Vaut të Dejës. Dhe me qëllim që të mos ketë shkarkime, Shqipëria po shikon mundësinë që edhe ta shesë.
Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje për shkëmbim të energjisë gjatë mbledhjes së fundit ndërmjet dy qeverive në qershor në Prishtinë. Gjatë muajve të verës, Kosova ka dhënë energji Shqipërisë dhe pret nga kjo e fundit t’ia kthejë gjatë dimrit kur të rritet konsumi në vendin tonë.
Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi sot se në ditët në vijim pritet shtim i prurjeve edhe në kaskadën e Drinit për shkak të reshjeve.
Gjatë inspektimit të punimeve në rrugën Orikum-Dukat, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama, Balluku tha se tani niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur 268 m.
“Ka prurje të konsiderueshme. Ka patur një shkëputje të reshjeve mbrëmë në darkë, ndërkohë që ka nisur në orën 12:00 dhe pritet të përfundojë në orën 12:00 të natës, duke pasur prurje në liqenin e Fierzës, të cilën ne po e konservojmë për të rritur nivelin, jemi gati në 268 metra duke shkuar në këto momente. Përsa i përket pjesë së Komanit dhe Vaut të Dejës duke qenë se janë të dyja liqene të vegjël po tregohemi të kujdesshëm, po punojmë agregate, por nga ana tjetër do të na duhet që të shikojmë sesi ta menaxhojmë pasi prurjet do jenë gjatë ditës së nesërme por do të vazhdojnë deri në datën 23 dhe duhet të jemi të kujdesshëm patjetër për të mos patur shkarkime. Duhet të shkëmbejmë energji me Kosovën ose do dalim në treg për të shitur”, detajoi zëvendëskryeministrja Balluku.
Kryeministrin Rama dhe zëvendëskryeministren Balluku, i zuri shiu teksa inspektonin punimet në rrugën Orikum-Dukat këtë të premte.Sa i përket punimeve në aksin Orikum-Dukat u tha se ecuria e punimeve është në 68%. Gjithashtu, u njoftua se në të gjithë zonën janë kryer punime edhe sa i përket mbrojtjes lumore.

Back to top button