Rexhail Qerimi tre herë i ishte drejtuar Avokatit të Popullit, një herë për arsye shëndetësore

Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Zyberi në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se ekipe të këtij institucioni tashmë kanë ndërmarrë veprime rreth vdekjes së Rexhail Qerimit, të dënuarit për rastin “Alfa”, përcjell TV21.
Zyberi tha se Qerimi i është drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit dy herë gjatë vitit 2020, dhe një herë herë gjatë vitit 2015, ku ishte ankuar për gjendjen shëndetësore.
“Ky person disa herë i është drejtuar Avokatit të Popullit në të kaluarën. Në vitin 2020 dy herë, vërejtjet e tij kanë qenë rreth procesit gjyqësorë, ku kompetenca e Avokatit të Popullit këtu është e përjashtuar, në vitin 2015 vëllai i tij i është drejtuar Avokatit të Popullit për përkeqësimin e gjendjes së këtij personi, pas çka është konstatuar se i është ofruar ndihma fillestare shëndetësore në institucion, ndërsa më pas është drejtuar në kontrolle klinike, është konstatuar parezë faciale. Por specialisti që ka kryer kontroll ka vlerësuar se nuk ka nevojë për kurim spitalorë, pas çka është kthyer në institucion”, tha Zyberi.
Rexhail Qerimi është i dënuar për rastin “Alfa” së bashku me Agim Islamin.
Rasti “Alfa” ka ndodhur më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, nga ku jetën kishte humbur polici shqiptar nga njësiti Alfa, ndërsa ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët ai kishte qenë në patrullë.
Për këtë rast, në prill të vitit 2010, me burgim të përjetshëm u dënua tashmë i ndjeri Rexhail Qerimi dhe Agim Islami./TV21

Back to top button