Rexhepi: U kujdesa që vendimi im të mos kuptohet, që të mos gjenin deputet tjetër për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti Kastriot Rexhepi mbrëmë në ClickPlus në TV21 ka deklaruar se vendimin për mosrrëzimin e Qeverisë Zaev 2 është munduar ta mbajë të fshehtë deri në moment të fundit, pasi siç ka thënë, është përkujdesur që opozita të mos arrijë të gjejë tjetër deputet për të votuar “pro” mosbesimit.
“E pastrova me veten se nuk duhet të mbështetet por u mundova të përkujdesem që mos e marrin sinjalin edhe shumë herët, mos të mobilizohen dhe të bindin edhe ndonjë deputet tjetër. Unë e kam pasur shumë me rëndësi që mos të finalizohet kjo iniciativë para 14 dhjetorit sipas informacioneve që i kam marr jemi shumë afër (çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian)”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi është shprehur i bindur se Qeveria aktuale ka 61 deputetë.
Sipas tij, emri i deputetit të 61-të do të mësohet së shpejti.
“Qeveria ka 61 deputetë, do ta kuptoni së shpejti kush është deputeti i 61-të”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka deklaruar edhe se Lëvizja Besa vazhdon të jetë pjesë e Qeverisë edhe pse ditë më parë, ministri dhe dy zëvendësministrat e kësaj partie dhanë dorëheqje.
Ditë më parë kujtojmë se edhe lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, pjesë e Qeverisë deklaroi se Qeveria ka 61 deputetë, duke mos zbuluar as ai se cili është deputeti i 61-të./TV21

Back to top button