Rexhepi uron besimtarët myslimanë

Me rastin e Fitër Bajramit, Sulejman efendi Rexhepi ka uruar besimtarët

Kryetari i Bashkësisë fetare islame në Maqedoni, Sulejman efendi Rexhepi, me rastin e Fitër Bajramit, u dërgoi mesazh besimtarëve të fesë myslimane.

“E madhëruam këtë Muaj, si gjithnjë herave të tjera, sepse Vetë Allahu xh.sh. e madhëroi, në të përcaktoi data të shenjta që nuk gjenden në muajt e tjerë të vitit. Mbi të gjitha, në këtë Muaj zbriti Kurani i Shenjtë, u trasua rruga e nderit, rruga e moralit, e pastërtisë, e devotshmërisë, u përcaktuan ligjet e dashurisë, të respektit, të humanitetit; u ngrit arkitektura e mirëqenies, u zbërthye dhe u bë e qartë se sa e lehtë është arritja e paqes, e kohezionit dhe sa madhështor është diversiteti i gjithëanshëm që na e ka dhuruar Krijuesi i Gjithësisë. Thënë shkurt, e madhëruam këtë Muaj sepse pikërisht në të u hodh gurthemeli i fesë së mbarë njerëzimit dhe për të gjitha kohërat, në këtë Muaj nisi të rrezatojë drita islame”, thuhet në mesazhin e Kryetarit të Bashkësisë Islame Sulejman Rexhepit.

Ai tha se  nesër, festojmë Bajramin e Ramazanit, e cila manifeston kënaqësinë e të qenurit mysliman, besimtar i fesë islame, manifeston krenarinë si dhe falënderimet më të sinqerta drejtuar Allahut Fuqiplotë.

“Me këtë shpirt të dëlirë, të vazhdojmë edhe sot, duke ia shtrirë dorën njëri-tjetrit, duke u përqafuar e marrur ngryk si vëllai vëllanë, duke gëzuar sofrën e skamnorëve, duke e shtuar dashurinë dhe përkujdesin për jetimët, për prindërit tanë, për familjet tona”, thuhet më tej në urimin e Rexhepit.

“Gëzuar për shumë mot Festën e Bajramit të Ramazanit!”, ishte urimi i Kryetarit të Bashkësisë fetare islame në Maqedoni./21Media

 

Back to top button