Rexhepi: Vaksinimi shqetësim për boshnjakët

Vetëm 30% e komunitetit boshnjak që kryesisht jeton në zonat rurale të Prizrenit janë vaksinuar ndaj COVID-19, ndërsa komunitetet e tjera qëndrojnë më mirë me imunizim.
Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilia Rexhepi e cila bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen.
Rexhepi u shpreh e kënaqur me pjesëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian në komunën e Prizrenit dhe të Gjakovës të cilët i janë përgjigjur thirrjes për vaksinim, ndërsa shprehet më e shqetësuar për komunitetin boshnjak që jeton në zona më të thella.
”Kemi informacione se në komunën e Prizrenit, komuniteti rom, është në masë të mjaftueshme i vaksinuar. Po ashtu, kemi informacione edhe nga kryetari i Gjakovës se komuniteti egjiptian është i vaksinuar me një përqindje mjaftë të mirë, mirëpo kemi probleme në komunën e Prizrenit, ku komuniteti boshnjak në zonat rurale, veçanërisht në fshatra, nuk është mjaftueshëm i vaksinuar dhe statistikat tregojnë se pothuajse 30 përqind e komunitetit tonë atje është i vaksinuar, gjë që të gjithë duhet të veprojmë për të mbrojtur jetën e çdo qytetari”, ka thënë ajo.
Edhe për komunitetin turk zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi u shpreh se janë vaksinuar në masë të kënaqshme.
Ajo ofroi mbështetje për të gjitha komunat me qëllim që qytetarët e pakicave të kenë qasje në qendrat e vaksinimit dhe të imunizohen kundër koronavirusit.
Tashmë kur situata pandemike në vend është përkeqësuar Rexhepi kërkoi angazhim nga të gjitha palët me qëllim që të rritet numri i vaksinimit të qytetarëve.
”Edhe një herë, të gjithë duhet të kemi parasysh seriozitetin e kësaj gjendje për të mos rrezikuar jetën e popullatës sonë, dhe të gjithë do të angazhohemi për rritur numrin e qytetarëve të vaksinuar”, deklaroi ajo.
Rastet me COVID-19 janë shtuar ndjeshëm në vendin tonë. Vetëm të dhënat e fundit folën për 3,628 raste të reja. Deri më tani kemi 201,955 raste të konfirmuara me këtë sëmundje, ku fatkeqësisht prej tyre 3,012 kanë humbur jetën ndërsa 164,991 janë shëruar. Aktualisht, numri i rasteve aktive është 33.952.

Back to top button